Në prag të Festës së Flamurit, bllokohet vendosja e mozaikut të Nënë Terezës në Prishtinë/ Përplasje mes Komunës dhe Ministrisë së Ekonomisë
Nga Filip Çakuli
Në Ditën e Flamurit do të zhvillohet një protestë madhështore, historike, e papërsëritshme, sipas organizatorëve të saj. Natyrisht, si çdo protestë që ende nuk ka filluar, edhe kjo ishte shpallur më e madhja në histori. Këto epitete përdoren me bollëk para demonstratave. Pas tyre, çuditërisht, askush nuk merr mundimin të na tregojë sa madhështore ishte pjesëmarrja. Mesa duket, madhështia nuk matet me numra, por me deklarata.
Kjo turli revolucionarësh nuk hahet me asgjë. Një grup krijon parti, që nuk e njohin grupet e tjera. Një grup tjetër takohet me moton «Rama ik», por nuk pranohet nga grupet e përziera. Grupi më i vendosur deklaron se nuk ka drejtues, sepse janë të gjithë njëlloj. Pra, së bashku përbëjnë një kryetar. Një lloj kryesie kolektive, ku të gjithë japin urdhra dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Pastaj janë revolucionarët e molotovëve, fishekzjarrëve dhe flakëve. Këta nuk kanë lidhje me grupet e tjera, por kanë një kontribut të veçantë: largojnë edhe ata pak qytetarë që mund të bashkoheshin me protestën. Me pak fjalë, secili grup lufton për rrëzimin e Ramës, por edhe për të mos ia lënë fitoren grupit tjetër.
Sipas parashikimeve të tyre, Ditën e Flamurit Rama do të japë dorëheqjen dhe më 29 Nëntor nuk do të ketë kush të çojë kurora në Varrezat e Dëshmorëve. Një revolucion me kalendar të plotë, që kishte parashikuar edhe ceremoninë e munguar.
Kryetari i opozitës foli për një Ramë të trembur, që nuk kishte vrimë miu ku të futej. Por Edi, mesa duket, e gjeti vrimën në Bruksel. Madje, njoftoi se më 29 Nëntor do të nderojë dëshmorët. Kështu që, përveçse nuk u rrëzua qeveria, mbeti edhe ceremonia e planifikuar. Revolucioni duhet të rishikojë parashikimet meteorologjike.
Por shqetësimi nuk mbaron këtu. Nuk mjaftojnë gjykatat e shkallëve të para, që lirojnë apo lehtësojnë masat ndaj dhunuesve që sulmojnë policët me gurë të shkulur nga bulevardi, i godasin me molotovë dhe u vënë flakën bizneseve e institucioneve. Del edhe Gjykata Kushtetuese, që shfuqizon gjoba dhe dënime të vendosura ndaj protestuesve vandalë.
Argumenti? E drejta kushtetuese për të protestuar.
Po kush po e kundërshton këtë të drejtë? Kush ka thënë se qytetarët nuk duhet të protestojnë? E drejta për protestë është e shenjtë në demokraci. Por a përfshihet në Kushtetutë edhe e drejta për t’i vënë flakën një polici, për të shkatërruar një biznes apo për të goditur institucionet me molotov?
Mos vallë, krahas të drejtës së tubimit, kemi fituar edhe një të drejtë të re: atë të vandalizmit me imunitet kushtetues?
Dhe pastaj çuditemi pse protestat tona nuk mbushen me qytetarë, por me revolucionarë profesionistë. Kur protesta shndërrohet në garë molotovësh, qytetari normal bën atë që di më mirë: largohet përpara se t’i bjerë ndonjë gur në kokë.
Dikush mund të thotë se autori është kundër protestuesve. Aspak! Jam me qytetarët që protestojnë, me ata që kërkojnë ndryshim, që kundërshtojnë qeverinë dhe kërkojnë llogari nga pushteti. Se, kur padrejtësia bëhet ligj, atëherë rezistenca bëhet detyrë, ka shkruar një filozof i njohur.
Sepse e drejta është e drejtë, edhe nëse të gjithë janë kundër teje.
Por nuk jam me flakëhedhësit që sulmojnë policët, djegin pronat dhe rrezikojnë jetën e njerëzve. Pra, është tjetër gjë, të jesh me protestën dhe tjetër gjë, të jesh kundër dhunës.
Unë mbaj përgjegjësi për ato që them dhe jo për ato që kuptojnë të tjerët.
Sepse protesta është e drejtë demokratike, ndërsa molotovi nuk është program politik. Dhe kush i ngatërron të dyja, nuk po rrëzon qeverinë, por po djeg vetë kuptimin e protestës.
Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv
Top Channel