Nga botimet e rralla te Abetarja e vitit 1942, 107 libra për Skënderbeun ekspozohen në Elbasan

28 Nëntor 2026 | 00:06

Një koleksion prej 107 librash kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut është prezantuar në Elbasan, në kuadër të aktiviteteve për festat e Nëntorit. Pas këtij koleksioni qëndron Juliana Hasekiu, mësuese historie dhe doktor në Albanologji, e cila prej më shumë se 30 vitesh mbledh botime shqiptare dhe të huaja për heroin kombëtar. Mes tyre gjenden edhe ekzemplarë të rrallë, që dëshmojnë interesin e vazhdueshëm për figurën e Skënderbeut.

“Koleksioni është më shumë se 30-vjeçar, është mbledhur pak e nga pak. Afërsisht 95 libra mund të jenë të mitë, ndërsa pjesa tjetër është kontribut që kanë dhënë nxënësit. Janë rreth 107 libra që i kushtohen figurës së heroit tonë kombëtar”, thotë Juliana Hasekiu.

Veçantia e koleksionit qëndron te vjetërsia dhe autorësia e botimeve. Mes librave të ekspozuar ka vepra të shkrimtarit elbasanas Etem Haxhiademi, botime të autores italiane Giovanna Biasotti, si dhe një abetare të vitit 1942, e cila në faqet e para mban portretin e Skënderbeut.

“Një nga më të vjetrit që kam është libri i shkrimtarit elbasanas Etem Haxhiademi, një tragjedi që ia kushton heroit tonë kombëtar. Kam edhe një libër shumë të vjetër të autores italiane Giovanna Biasotti, e cila i ka kushtuar një vepër të veçantë Skënderbeut. Është edhe një abetare e vitit 1942, që hapet në faqen e parë me portretin e heroit tonë kombëtar. Kjo tregon se figura e tij, në periudha të ndryshme kohore, nuk e ka humbur vlerën”, thotë ajo.

Hasekiu thotë se figura e Skënderbeut vijon të jetë e pranishme në tekstet shkollore, në lëndët e historisë, gjuhës dhe letërsisë. Sipas saj, promovimi i mëtejshëm i kësaj figure dhe i trashëgimisë historike mbetet i rëndësishëm.

Në pasurimin e koleksionit kanë kontribuar edhe nxënësit, të cilët e shohin ekspozitën si një mundësi për t’u njohur më nga afër me historinë dhe për të nxitur kulturën e leximit.

“Figurën e Skënderbeut e mbajmë në vëmendje këto ditë, jo vetëm për shkak të koleksionit të zyshës, por edhe sepse është një nga heronjtë tanë kombëtarë, që na ka bërë të famshëm dhe krenarë që jemi shqiptarë. Aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për këtë brez, sepse, për shkak të digjitalizimit dhe rrjeteve sociale, vlera e librit është ulur dita-ditës. Kjo ekspozitë promovon vlerën e fjalës dhe mesazhet që ajo përcjell”, thotë nxënësja Inajda Jançe.

Përmes botimeve shqiptare dhe të huaja, përfshirë edhe ekzemplarët e rrallë, ekspozita sjell një pasqyrë të mënyrës se si figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut është trajtuar në letërsi dhe në botimet historike ndër vite. Ajo synon gjithashtu të nxisë interesin e brezit të ri për librin dhe trashëgiminë kombëtare.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Historitë e Çmendura të Tiranës”, Ben Blushi sjell galerinë e të “çmendurve” që bënë kryeqytetin!

Shkrimtari Ben Blushi vjen me një botim të ri, të titulluar “Historitë e Çmendura të Tiranës”, përmes të cilit sjell episode të pazakonta dhe personazhe...
21:06 | 27/11/2026

Ndarja nga jeta e mjekut Ylli Ziçishti, Kuvendi e nderon me një minutë heshtje

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe mjekut të njohur Ylli Ziçishti, i cili...
23:56 | 26/11/2026

“Shqipëria në sytë e Bajronit”, tradita shqiptare mbërriti në Edinburg

Një pjesë e Shqipërisë udhëtoi drejt Skocisë përmes muzikës, këngëve dhe valleve tradicionale. Për herë të parë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u ngjit...
11:13 | 25/11/2026