Ministria e Ekonomisë: Komuna kundërligjshëm deshi ta vendoste muralin e Nënës Terezë
Ministria e Ekonomisë i ka reaguar Komunës së Prishtinës që akuzoi Policinë për ndalimin e vendosjes së një murali të Nënës Terezë në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi Policinë se “me urdhra nga lart” nuk ka lejuar vendosjen e muralit edhe pse siç pretendoi ai për të ka leje, Ministria e Ekonomisë ka thënë se bëhet fjalë për shkelje të ligjshmërisë.
Në një reagim për mediat, Ministria e Ekonomisë ka thënë se Komuna ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk menaxhohet nga Komuna dhe se këtë e ka bërë pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.
Në reagim thuhet se më 20 nëntor, në këtë objekt janë kryer kundërligjshëm ndërhyrje. Aty është thënë se janë rrezikuar edhe qytetarët e janë shkaktuar dëme materiale.
Sipas Ministrisë, Prokuroria i ka pezulluar punimet, por se Komuna ka vendosur të vazhdonte deri sa u ndal nga Policia.
“Ministria kërkon respektimin e ligjshmërisë dhe të vendimit të Prokurorisë, jo ndalimin e realizimit të veprës artistike”, thuhet në reagim të ME-së.
Sipas Ministrisë, pëlqimi i lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve është i kundërligjshëm dhe i panënshkruar nga drejtori i saj.
“Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë”, thuhet në reagim.
“Më datë 20.11.2026, në orën 09:17, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, kanë ndërmarrë veprime përmes kontraktorit privat, pa vendosur masa mbrojtëse dhe duke cenuar seriozisht shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë ka larguar kundërligjshëm banerin informues të Ministrisë, me ç‘rast ka bërë ndërhyrje të kundërligjshme në pronë të huaj, ka shkaktuar dëme materiale dhe mbi të gjitha kanë cenuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, sot më 27.11.2026, në orën 06:00 të mëngjesit, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës kanë ardhur sërish me makineri ngritëse (vinç) pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë, me qëllim të vazhdimit të punimeve. Si rrjedhojë, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila, pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes, ka ndaluar punimet”, thuhet në reagim.
Ministria e Ekonomisë ka thënë se nuk është kundër veprës artistike, por se e kundërshton mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve “nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”.
Kjo ministri ka kërkuar nga kryeqyteti të pritet vendimi gjyqësor.
Rama thotë se Policia e ndaloi vendosjen e muralit të Nënës Terezë në shesh
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë të premten se është ndaluar nga Policia vendosja e një murali të Nënës Terezë në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Siç ka thënë ai, Komuna e ka dhënë lejen për vendosjen e muralit. Rama ka kërkuar përgjigje nga Policia se “me çfarë vendimi u ndalua vendosja?”
“SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike n’Kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit. Sipas ekipit që po e vendoste muralin, përgjigjja e policit në vendngjarje ishte se urdhri kishte ardhur “nga lart”. Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi! Kush është “lart” në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje? Kërkoj llogari nga Policia e Kosovës. Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Në mbledhjen e 6 nëntorit, Asambleja mbështeti vendosjen e një murali kushtuar Nënës Terezë. Projekti, siç u tha, kushton rreth 15 mijë euro.
Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet, Leutrim Retkoreci, pati thënë se murali do të jetë i vendosur për 28 Nëntor.
KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës për këto akuza. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.