Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çka pati thënë për Kosovën kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore?

Radomir Saiçiq

Radomir Saiçiq, kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore

Radomir Saiçiq, kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore, e konsideron Kosovën “territor të pushtuar përkohësisht” dhe thotë se ajo, sipas Kushtetutës së Serbisë, është pjesë e pandashme e territorit serb.

Saiçiq, profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), është zyrtarizuar sot si kandidati i Listës Studentore në zgjedhjet presidenciale të Serbisë që mbahen më 27 dhjetor. 

Gjatë fushatës zgjedhore, Saiçiqi tërhoqi vëmendje me qëndrimet për Kosovën, Republikën Srpska dhe Rusinë. Duke folur në emisionin “Oko” të RTS-së, ai e cilësoi Kosovën si “territor të pushtuar përkohësisht”, duke u thirrur në Kushtetutën e Serbisë.

“Kosova dhe Metohija janë, sipas Kushtetutës, pjesë e pandashme e territorit tonë. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. Për mua, është territor i pushtuar përkohësisht”, kishte deklaruar Saiçiq.

Përveç Kosovës, Saiçiq ka shprehur edhe qëndrime pro mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Moskën. Ai pati deklaruar se Rusia mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa Qeveria në Beograd.

Saiçiqi është një prej profesorëve universitarë që u përfshinë ndër të parët në zhvillimet shoqërore dhe politike gjatë protestave studentore në Serbi. Ai ishte njëri nga 14 themeluesit e grupit qytetar “Lista Studentore – Studentët fitojnë” dhe ishte personi që shpalli fitoren e kësaj liste në selinë e saj natën e zgjedhjeve të 25 tetorit.

Ish-oficeri aktiv gjatë luftës në Kosovë, kandidat për president të Serbisë

8 o. më parë / 27 nën 2026 16:06
Radomir Saiçiq

Radomir Saiçiq, kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore

Radomir Saiçiq, që sot u zyrtarizua si kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore, pati deklaruar se ishte i mobilizuar gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s më 1999, duke shërbyer në kuadër të një batalioni për veprime speciale të ushtrisë serbe.

Gjatë një fjalimi televiziv gjatë fushatës zgjedhore, Saiçiq ka treguar se kishte shërbyer si komandant i togës së qitësve në front dhe i kompanisë së këmbësorisë. Ai ka thënë se ishte mobilizuar sa herë që kishte situata të jashtëzakonshme.

“Dëgjoj atje disa, nuk e di, ustashë... ustashë. Unë jam edhe oficer rezervë, përveç faktit që jam profesor universiteti, akademik e kështu me radhë. Kam përfunduar shkollën e oficerëve rezervë të këmbësorisë në Bileça, si i pari në rang. Dhe për shkak të kësaj, dhe sepse kam edhe njohuri kimike, doktoraturë shkencash e kështu me radhë, kam mjaft nga ato 'VES'-e (specialitete ushtarake), siç thonë në ushtri, mjaft specialitete. Gjithmonë isha i mobilizuar kur kishte ndonjë, siç thonë, 'rrëmujë' (situatë kritike). Dhe kam qenë komandant i togës së qitësve në front dhe i kompanisë së këmbësorisë. Dhe mua dikush më thotë ustash”, pati deklaruar Saiçiq.

Saiçiq e pati treguar përvojën ushtarake për t’iu kundërpërgjigjur kritikave se nuk është mjaftueshëm patriot dhe se e ka tradhtuar Kosovën.

“Flasin për Kosovën. Isha i mobilizuar edhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Dhe kur unë isha në kuadër të batalionit për veprime speciale, ai që na quan 'tradhtarë të Kosovës' po futej në banesën e re. Sa më takon mua, me sa di unë, ish-presidenti i shtetit po hynte në banesën e tij të re në kohën kur unë, ja kështu, shëtisja me ushtrinë, domethënë, nëpër pyje dhe male. Dhe ata tani na thonë neve se jemi tradhtarë dhe se nuk kemi mjaftueshëm patriotizëm. Kjo është, domethënë, thjesht nuk duhet komentuar më tej”, pati thënë tutje ai. 

VIDEO:

Saiçiq është kandidat për president të Serbisë nga Lista Studentore në zgjedhjet e 27 dhjetorit. Deklarimet e tij janë në përputhje me qëndrimin e deritashëm të Serbisë – mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë fushatës, gjithashtu ka thënë se Kosova është “territor i pushtuar përkohësisht”. Saiçiq ishte njeriu që shpalli fitoren e studentëve pas zgjedhjeve të 25 tetorit, që rrëzuan Aleksandar Vuçiqin nga pushteti 15-vjeçar.