Mbahert sot në Tiranë protesta kombëtare e thirrur nga të rinjtë dhe qytetarët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pas gati gjashtë muajsh protestash të përditshme në rrugët e kryeqytetit, qytetarët pritet të mblidhen në Tiranë në një manifestim të gjerë, që shënon ditën e 182-të të revoltës.
Prej disa javësh, protestuesit kanë intensifikuar thirrjet për pjesëmarrje në protestën kombëtare, duke u bërë apel qytetarëve nga të gjitha rrethet e vendit, por edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, që t’i bashkohen tubimit në kryeqytet.
Pritshmëritë e organizatorëve janë për një pjesëmarrje masive, ndërsa në Tiranë pritet të mbërrijnë edhe shqiptarë nga diaspora.
Data e 28 Nëntorit është zgjedhur edhe për simbolikën që mbart, duke ndërthurur festën e Pavarësisë me kërkesat e protestuesve për ndryshime politike dhe institucionale në vend.
“Kërkojmë nëntorin e tretë”, “Më 28, Rama e di vetë!” dhe “Shqipërinë nuk e falim!” kanë qenë disa prej thirrjeve që kanë shoqëruar marshimet e ditëve të fundit në kryeqytet.
Gjatë protestave, të rinjtë dhe studentët kanë shpërndarë fletëpalosje për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve, duke i ftuar të bëhen pjesë e manifestimit kombëtar.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike, që do të përgatiste vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pjesë e kërkesave janë gjithashtu reforma zgjedhore, kufizimi i mandateve të kryeministrit, lufta kundër korrupsionit, auditimi i administratës publike dhe mbrojtja e pasurive natyrore të vendit.
Përgjatë gati gjashtë muajve, protesta është shoqëruar me marshime në rrugët e Tiranës, tubime përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, si dhe me episode të shumta tensionesh me policinë. Megjithatë, protestat kanë vijuar çdo ditë, edhe në kushtet e motit të pafavorshëm.
Pas 181 ditësh protestash të njëpasnjëshme, 28 Nëntori pritet të jetë një moment i rëndësishëm për lëvizjen qytetare dhe një provë e aftësisë së saj për të mobilizuar qytetarë nga mbarë vendi dhe diaspora.
Protestuesit kanë deklaruar se qëndresa do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ku kryesorje mbetet edhe pas kaq muajsh, dorëheqja e panegociueshme ekryeministrit Edi Rasma, ftesat e shpeshta për dialog të të cilit, studentët i kanë refuzuar kategorikisht.
