Vendosni fjalën kyçe....

“Shkatërruan televizionin opozitar” – Pronari akuza autoriteteve turke


Autoritetet turke kanë “shkatërruar” një prej kanaleve informative më të ndjekura në vend. Kështu është shprehur për BBC-në pronari i televizionit, i cili ndodhet në Londër.

Duke folur për emisionin “Newshour” të BBC-së, Cafer Mahiroğlu tha se këtë javë janë arrestuar nëntë persona të lidhur me televizionin Halk TV, nën akuza që përfshijnë pastrim parash, ryshfet dhe përhapje të informacioneve mashtruese.

Mahiroğlu deklaroi se mes personave të arrestuar ndodheshin edhe disa anëtarë të familjes së tij, ndërsa shtoi se akuzat ndaj tij dhe televizionit Halk TV janë “krejtësisht të pavërteta”. Arrestimet ndodhën pasi kanali opozitar u vu nën kontrollin e qeverisë muajin e kaluar.

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit bëri të ditur se në grupin e fundit të personave të ndaluar përfshiheshin edhe dy ish-prezantues të lajmeve në këtë televizion, shkruan BBC.

Në një deklaratë, prokurorët i akuzuan ata se kishin prodhuar “raporte të rreme” në këmbim të parave.

Autoritetet kanë lëshuar gjithashtu një urdhër-arresti për koordinatorin e lajmeve të kanalit, Kürşad Oğuz, i cili ndodhet “jashtë vendit”, thuhet në deklaratë, pa u specifikuar se ku.

Mahiroğlu i tha BBC-së se mund të përfundojë në burg nëse përpiqet të kthehet në Turqi.

“Qeveria dëshiron të ketë nën kontroll të gjitha mediat… Unë jam më i shqetësuar për vendin tim dhe demokracinë tonë sesa për televizionin tim”, deklaroi ai.

Selia e televizionit Halk TV u bastis nga autoritetet turke muajin e kaluar, duke ndërprerë transmetimet e drejtpërdrejta të kanalit. Ky ishte rasti i fundit në një seri masash kundër burimeve mediatike që konsiderohen kritike ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe administratës së tij.

Më pas, qeveria emëroi një administrator të ri për të drejtuar televizionin.

Qeveria e Erdoğan kontrollon një pjesë të madhe të mediave në vend, i cili renditet ndër më të këqijtë në botë për lirinë e shtypit. Megjithatë, qeveria këmbëngul se nuk ndalon apo arreston punonjës të medias për ushtrimin e veprimtarisë së tyre gazetareske.

Presidenti ka shtuar masat kundër zërave kritikë që prej fitores së ngushtë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet morën nën kontroll edhe rrjetin televiziv opozitar Sozcu TV.

Kundërshtari kryesor i Erdoğan, kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem İmamoğlu, është burgosur nën akuza për korrupsion dhe shkelje të ligjeve zgjedhore. Ai dhe partia e tij i kanë mohuar me forcë këto akuza.

Qindra mbështetës të İmamoğlu janë përballur me akuza të ngjashme, ndërsa qeveria ka burgosur edhe aktivistë të tjerë, avokatë dhe humoristë.