Muzeu që ruan historinë e gruas që qëndisi flamurin, mbesa tregon rolin e Marigosë në përgatitjet e pavarësisë

Në Hoçisht të Devollit, një shtëpi ruan historinë e një gruaje që lidhet drejtpërdrejt me simbolin më të rëndësishëm të shqiptarëve.
Këtu ka jetuar për katër vite Marigo Posio, e njohur si qëndistarja e flamurit shqiptar. Sot, banesa është kthyer në muze, ku ruhen dokumente dhe dëshmi për veprimtarinë e saj, por edhe për ngjarjet që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë.
Për mbesën e saj, Violeta Pojani, nuk ka më vend për diskutime mbi rolin që Marigoja pati në përgatitjen dhe qëndisjen e flamurit. Ajo thotë se dëshmitë historike dhe dokumentet e arkivuara janë të mjaftueshme për të hedhur dritë mbi këtë histori.
“Për qëndisjen e flamurit janë 12 variante. Shtëpia e saj ishte shtëpi bazë pelegrinazhi, kishte lidhje me patriotët shqiptare. me urdhër të Pandeli Cales e thërrasin Marigone dhe e caktojnë si farketonjese e idesë kombëtare. Do të bësh flamurin me gjithë karakteristikat dhe atje ka qenë copa të blera në tregtare diamanti, ka qenë Dom Pashke Vasa dhe Petro Fotografi që bënë modelin e flamurit që u shfaq në 28 Nëntor. Marigoja në datën 27 bënte përgatitjet e fundit për flamurin dhe dëshmitarët ka qenë një punonjëse, Thina Fera, që thoshte; “Shpejt Ismaili na I do ne orën 7, për ditën e nesërme të shpalljes së pavarësisë”, tha mbesa e Marigosë.
Por historia e Marigo Posios nuk mbaron te flamuri.
Ajo ishte aktive në çështjen kombëtare, në jetën kulturore dhe në përpjekjet për emancipimin e gruas shqiptare. Një veprimtari që, sipas mbesës së saj, dëshmohet në dokumentet e ruajtura në arkivat shqiptare.
“Vinte në Turqi ku mblidhte shqiptarët e u fliste për çështjen kombëtare. Janë parë të gjitha materialet të gjetura në arkivin e shtetit. Marigoja ka patur aktivitet të gjerë kulturor. Ka krijuar shoqatën” Shpresa Kombëtare “, në kronikat e kohës ka ardhur prin Vidi në 1916 dhe ajo e ka pritur. Më 1921 krijohet gazeta” Shprese e Kombit “, e para gazete për femrën shqiptare që në simbolin e saj ka patur ngjyrat kuqezi. Marigoja ishte drejtoreshë e kësaj gazete, dy vajzat e saj të studiuara në Amerikë redaktore të kësaj gazete. Kishte qëllim emancipimin e femrës shqiptare”, shtoi ajo
Dhe ndërsa dokumentet e saj janë mbledhur për t’u ruajtur në këtë muze, një tjetër problem mbetet ende jashtë derës së tij.
Rruga që të çon te shtëpia muze është e pasistemuar. Janë vetëm 100 metra, por sipas Pojanit, kërkesat për ndërhyrje janë bërë prej rreth një dekade dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje.
“Unë shtetit I kërkoj të investojë për një rrugë 100 metra. E kam bërë këtë kërkesë para 10 vitesh. Për të sistemuar një rrugë 100 metra, e vështirë në kohën kur vijnë vizitorët por në kohën e festës është e vështirë kalimi sidomos për nxënësit e shkollës. Ata kanë gëzim të vijnë. Shumë e ofenduar, nuk arrij të çaj dot, me gjithë kërkesat e vazhdueshme drejtuar edhe kryeministrit”, tha mbesa e Marigosë.
Një grua që mbi një shekull më parë punoi për simbolin e një Shqipërie të pavarur, sot kujtohet në një shtëpi muze në Hoçisht.
Por për të mbërritur te kjo histori, vizitorët duhet të kalojnë fillimisht nëpër një rrugë prej vetëm 100 metrash.
Një distancë e shkurtër në kilometra, por që duket se është ende shumë e gjatë për të mbërritur te kujtesa.




