Mbahet sot në Tiranë protesta kombëtare e thirrur nga të rinjtë dhe qytetarët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pas gati gjashtë muajsh protestash të përditshme në rrugët e kryeqytetit, qytetarët pritet të mblidhen në Tiranë në një manifestim të gjerë, që shënon ditën e 182-të të revoltës.
Prej disa javësh, protestuesit kanë intensifikuar thirrjet për pjesëmarrje në protestën kombëtare, duke u bërë apel qytetarëve nga të gjitha rrethet e vendit, por edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, që t’i bashkohen tubimit në kryeqytet.
Pritshmëritë e organizatorëve janë për një pjesëmarrje masive, ndërsa në Tiranë pritet të mbërrijnë edhe shqiptarë nga diaspora.
Data e 28 Nëntorit është zgjedhur edhe për simbolikën që mbart, duke ndërthurur festën e Pavarësisë me kërkesat e protestuesve për ndryshime politike dhe institucionale në vend.
“Kërkojmë nëntorin e tretë”, “Më 28, Rama e di vetë!” dhe “Shqipërinë nuk e falim!” kanë qenë disa prej thirrjeve që kanë shoqëruar marshimet e ditëve të fundit në kryeqytet.












