Një mesazh urimi për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ka ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë urimet në emër të SHBA-së për popullin shqiptar, duke vlerësuar marrëdhëniet dhe partneritetin mes dy vendeve.
Në deklaratën zyrtare, Rubio thekson bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme, si dhe përpjekjet e përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike dhe aktiviteteve të grupeve kriminale transnacionale.
Deklarata e plotë:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht.


