Tronditje në WWE, ndërron jetë në moshën 38-vjeçare Bronson Reed

Tronditje në WWE, ndërron jetë në moshën 38-vjeçare Bronson Reed

08:57, 28/11/2026

Bota e wrestling-ut është tronditur nga lajmi për vdekjen e Bronson Reed, një prej yjeve të WWE-së. Mundësi australian, emri i vërtetë i të cilit ishte Jermaine Haley, ndërroi jetë në moshën 38-vjeçare për shkak të komplikacioneve mjekësore, njoftoi kompania amerikane në një deklaratë zyrtare.

Reed kishte pësuar dëmtime serioze gjatë eventit Crown Jewel në Arabinë Saudite, ku raportimet flisnin për brinjë të thyera dhe dëmtime në veshka. Ai kishte qëndruar për një periudhë në Arabinë Saudite për trajtim mjekësor, përpara se të rikthehej në Shtetet e Bashkuara.

WWE nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për shkakun e vdekjes, ndërsa nuk është konfirmuar nëse komplikacionet mjekësore kishin lidhje me dëmtimet e pësuara në eventin e fundit. Kompania e përshkroi Reed si një figurë të jashtëzakonshme në ring, por mbi të gjitha si një njeri të mrekullueshëm, familjar të përkushtuar dhe koleg shumë të dashur.

“Ngushëllimet tona më të thella janë për familjen e Jermaine, përfshirë bashkëshorten e tij Paige, e cila është shtatzënë, vajzën e tyre, miqtë, kolegët dhe tifozët”, thuhej në deklaratën e WWE-së.

Haley e nisi karrierën në wrestling në vitin 2007, ndërsa në WWE u bë i njohur me emrin Bronson Reed, duke fituar titullin NXT North American Champion. Ai pati një periudhë larg kompanisë, gjatë së cilës garoi edhe në organizata të tjera, përpara se të rikthehej në WWE në vitin 2022.

Në vitin 2024, ai fitoi edhe Andre the Giant Memorial Battle Royal, ndërsa në muajt e fundit ishte rikthyer në formë të mirë dhe po synonte një rol më të rëndësishëm në kompaninë amerikane.

Vdekja e tij ka shkaktuar reagime dhe homazhe të shumta nga kolegët, tifozët dhe emra të njohur të wrestling-ut, ndërsa WWE ka shprehur ngushëllimet për familjen e tij në këtë moment të vështirë.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco