Tetë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak të tipit Mi-17 në Sanabamba, në rajonin Ayacucho të Perusë. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes e vendit.

Në bordin e helikopterit ndodheshin nëntë persona, ndërsa mjeti fluturues po kthehej nga një mision shpëtimi për një patrullë ushtarake që kishte mbetur e bllokuar në luginën e lumenjve Apurimac, Ene dhe Mantaro, e njohur me akronimin VRAEM.

Sipas autoriteteve, në mesin e viktimave janë pesë anëtarë të ekuipazhit dhe tre ushtarakë. I vetmi i mbijetuar është piloti Enso Espinosa Roque, i cili ka marrë plagë të rënda dhe është transportuar drejt një spitali në kryeqytetin Lima për trajtim mjekësor.

Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e aksidentit.

Zona VRAEM, ku ndodhi tragjedia, njihet për kultivimin e gjerë të bimës së kokës dhe aktivitetin e organizatave kriminale të përfshira në trafikun e drogës.

Ky është aksidenti i dytë me një helikopter ushtarak të të njëjtit model në Peru gjatë këtij viti. Në shkurt, një tjetër Mi-17 u rrëzua në rajonin e Arequipas, teksa ishte angazhuar në një operacion shpëtimi pas përmbytjeve. Në atë aksident humbën jetën 15 persona, mes tyre edhe shtatë fëmijë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb