Rubio uron shqiptarët për 28 Nëntorin, vlerëson partneritetin strategjik me Shqipërinë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në mesazhin e tij të urimit, Rubio ka theksuar marrëdhëniet e forta ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, të ndërtuara mbi sigurinë e përbashkët, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve, njofton Dukagjini.
Ai ka mirëpritur thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me SHBA-në në çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Sekretari amerikan i Shtetit ka vlerësuar edhe bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe karteleve të trafikut të drogës.
“Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të sigurt dhe më të prosperuar, përfshirë përmes përpjekjeve të përbashkëta për t'u përballur me kërcënimet që vijnë nga grupet kriminale ndërkombëtare, kartelet e trafikimit të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me ta”, thuhet në mesazhin e Rubios.
Ai ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin në adresimin e kërcënimeve kibernetike, teksa Shqipëria po forcon kapacitetet e saj në sigurinë kibernetike.
“Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, presim me padurim thellimin e të gjitha aspekteve të marrëdhënies sonë me përfitime të ndërsjella”, ka përfunduar Rubio.















