
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë nga qelia një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka ndarë edhe një video me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshi Skënderbej, të zbukuruar me flamuj kuqezi.
Në mesazhin e tij, Veliaj shpreh dëshirën për të qenë pranë qytetarëve në këtë ditë të rëndësishme kombëtare, për të ngritur flamurin dhe për të nderuar ata që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë.
“Gëzuar festat e 28-29 Nëntorit! Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet.
Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë. Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut! Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin!”, shkruan Veliaj.
Mesazhi i kryebashkiakut vjen në një kohë kur ai ndodhet në paraburgim, ndërsa në urimin e tij ka zgjedhur të vendosë në qendër rëndësinë e lirisë, drejtësisë dhe respektit për historinë kombëtare.