
Rreth gjashtë dronë fluturuan në grup mbi një bazë ushtarake britanike në fillim të këtij muaji, por nuk u arrit të sekuestrohej asnjëri prej tyre pasi u zmbrapsën nga pajisjet mbrojtëse amerikane të vendosura në bazë, sipas personave të njohur me ngjarjen.
Më 13 nëntor, në bazën RAF Lakenheath, në Suffolk, u lëshua një alarm sigurie, me të cilin personelit amerikan iu kërkua të qëndronte i strehuar në ambiente të sigurta. Ngjarja u raportua në atë kohë, por u bënë publike shumë pak detaje.
Në fakt, rreth gjashtë dronë u panë duke fluturuar në hapësirën ajrore përreth bazës, thanë burimet. Sipas tyre, dyshohet se Irani mund të ketë lidhje me këtë incident.
Lakenheath, ku është vendosur Krahu i 48-të i Avionëve Luftarakë, është baza më e madhe e operacioneve amerikane me avionë luftarakë në Europë, me afro 7 mijë pjesëtarë personeli.
Gjatë incidentit, teknologjia amerikane kundër dronëve u përdor me sukses për të zmbrapsur mjetet ajrore pa pilot. Megjithatë, as personeli britanik dhe as ai amerikan nuk arritën t’i gjenin apo t’i merrnin në zotërim dronët.
Në shtator, baza kishte konfirmuar se ndodhej në nivelin e alarmit “Charlie”, niveli i dytë më i lartë i kërcënimit i përcaktuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.
Pamundësia për të kapur dronët në nëntor ka ngritur pikëpyetje nëse ndonjëri prej tyre mund të kishte pasur ngarkesë të posaçme, thanë personat e njohur me incidentin.
Kjo do të thotë se autoritetet amerikane dhe britanike nuk mund të përjashtojnë mundësinë që në dronë të ishte montuar një armë, pajisje spiunazhi apo ndonjë mjet tjetër, shkruan FT.

Incidenti është një prej disa ngjarjeve të sigurisë të regjistruara këtë vit në bazat britanike të përdorura nga Forcat Ajrore Amerikane, përfshirë edhe një komplot të dyshuar terrorist në bazën RAF Fairford, në Gloucestershire. Teherani ka mohuar çdo përfshirje.
Forcat Ajrore Amerikane konfirmuan më 13 nëntor se kishin reaguar ndaj “aktivitetit të dyshuar të paautorizuar të dronëve” në bazë, duke shtuar se “asnjë pjesëtar i personelit, avion apo infrastrukturë nuk u prek”.
Të premten, Forcat Ajrore Amerikane në Europë refuzuan të diskutonin mbi sistemet kundër dronëve, duke iu referuar arsyeve të sigurisë operacionale. Megjithatë, një zëdhënës u bëri thirrje banorëve të zonës që “të qëndrojnë vigjilentë dhe të raportojnë menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë tek autoritetet lokale”.
Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se mbrojtja e bazave ushtarake ishte “një përparësi kryesore”, duke shtuar: “Ne i rishikojmë dhe i forcojmë vazhdimisht masat tona të sigurisë”.
Policia e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Policia e Suffolk-ut bashkëpunuan ngushtë me Forcat e Sigurisë së Forcave Ajrore Amerikane për t’iu përgjigjur incidentit, i cili “u zgjidh shpejt”, bëri të ditur ministria.
Britania po investon 470 milionë paund për të forcuar sigurinë në objektet ushtarake, përfshirë përmirësimin e mbrojtjes fizike, sistemeve të mbikëqyrjes dhe kapaciteteve kundër dronëve.
Sipas raportimit të Sky News, Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) po zhvendosin disa avionë në hangarë gjatë natës dhe po planifikojnë të vendosin rrjeta kundër dronëve rreth avionëve të tjerë që ndodhen në ambiente të pambrojtura.
Të premten, Nick Timothy, deputet për West Suffolk dhe ministër në kabinetin hije të Partisë Konservatore, ngriti shqetësime për rrezikun e mundshëm ndaj bazës RAF Mildenhall, gjithashtu në Suffolk. Shqetësimi lidhet me një sulm të mundshëm ndaj parkut të energjisë diellore dhe baterive Sunnica, i cili po ndërtohet vetëm 2.5 kilometra larg bazës.
Ai i tha gazetës Financial Times se Ministria e Mbrojtjes “më ka pranuar se nuk e ka marrë parasysh rrezikun e sabotimit apo zjarrvënies kur është konsultuar gjatë procesit të planifikimit, ndonëse MI5 dhe institucione të tjera kanë paralajmëruar prej vitesh se shtetet armiqësore do të synojnë infrastrukturën në këtë mënyrë”.
Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi: “Të gjitha projektet i nënshtrohen një procesi rigoroz planifikimi, gjatë të cilit merret në konsideratë edhe siguria”.