Kurti për 28 Nëntorin: Qindra telegrame paraprinë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në urimin e tij për 28 Nëntorin, ka rikthyer ngjarjet që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, duke vënë në pah rolin e qindra telegrameve përmes të cilave u koordinua organizimi në qytetet shqiptare.
Në urimin e tij, Kurti ka thënë se historia e pavarësisë nuk duhet të kujtohet vetëm përmes pamjes së ngritjes së flamurit në Vlorë, por edhe përmes komunikimeve që paraprinë këtë ngjarje.
Ai i ka cilësuar këto telegrame si “flamurtha të pavarësisë”.
Sipas tij, komunikimet kishin nisur më 9 nëntor 1912, kur Ismail Qemali, nga Vjena, kishte dërguar një telegram me 32 fjalë, ku ndër të tjera shkruante: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue”.
Kurti ka përshkruar edhe mënyrën se si mesazhet përcilleshin nga një qytet në tjetrin.
Ai ka treguar se më 18 nëntor, paria e Vlorës u kishte dërguar telegram kryetarëve të bashkive të 30 qyteteve, me thirrjen që të ruhej qetësia dhe bashkimi deri në ardhjen e Ismail Qemalit.
Në këtë proces, sipas tij, rol të rëndësishëm kishin edhe zyrat telegrafike. Si shembull, ka përmendur zyrën në Elbasan, ku një telegram i pranuar në orën 10:40 ishte përcjellë më pas në disa qytete, përfshirë Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin.
“Po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Kjo ishte e gjithë infrastruktura e pavarësisë sonë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër këto shtigje të holla telash”, ka shkruar Kurti.
Në postimin e tij, kryeministri ka përmendur edhe kërcënimet ushtarake të asaj periudhe, duke sjellë si shembull një telegram të 25 nëntorit 1912, të dërguar nga komandanti serb Simoviq, i cili kërkonte dorëzimin e popullsisë së Ohrit dhe Strugës.
Kurti ka rikujtuar se ngritja e flamurit dhe shpallja e pavarësisë kishin nisur edhe në qytete të tjera shqiptare para 28 Nëntorit. Ndërsa më 28 nëntor, në Vlorë, delegatët e mbledhur vendosën që Shqipëria të bëhej “e lirë e e mosvarme”.
Ai ka vënë në pah se krahas figurave të njohura historike, në këtë proces kontribuuan edhe njerëz të zakonshëm, si telegrafistët dhe qytetarët që mundësuan përcjelljen e mesazheve.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Kurti ka theksuar se pavarësia ishte rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme ndër breza.
“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale”, ka shkruar ai.















