Mosha e re e popullsisë është njëra nga tri avantazhet ekonomike që Kosova mund të shfrytëzojë në procesin e ngushtimit të hendekut të zhvillimit me ekonomitë e avancuara. Dy të tjerat janë diaspora, si dhe afërsia me tregjet e Bashkimit Evropian (BE). Të dhënat nga Eurostat-i për vitin 2022 sugjerojnë se ne kemi popullsinë më të re në Evropë, me një moshë mesatare prej 31.1 vjetësh, krahasuar me 44.4 për pjesën tjetër të kontinentit.

Megjithatë, nuk është e njëjta gjë të kesh një aset në dispozicion dhe të dish ta përdorësh për zhvillim. Për ta vënë në funksion produktiv këtë resurs, shoqëria dhe institucionet e saj duhet të krijojnë kushte - mekanizma përmes të cilave të rinjtë arsimohen, aftësohen dhe përgatiten për tregun e punës.


Përvoja na sugjeron se pavarësisht problemeve të sistemit tonë arsimor, një grup i të rinjve kosovarë ka arritur të zhvillojë aftësi të larta produktive dhe me rezultatet e afarizmit të tyre të shndërrohet në bartës të zhvillimit të vendit. Fjala është për firmat që operojnë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Të dhënat nga eksporti i vendit sugjerojnë se rreth tetë përqind e totalit të eksporteve të vendit gjenerohen nga ky sektor. Disa nga menaxherët e këtyre firmave e kanë filluar punën si profesionistë të pavarur (freelancers). Përmes shërbimeve që u kanë ofruar kryesisht klientëve jashtë vendit, në mënyrë graduale kanë zhvilluar aftësi të avancuara produktive dhe kanë krijuar firmat e tyre të pavarura. Sot, disa nga to, ofrojnë shërbime dhe produkte te sofistikuara softuerike.

Dy janë nxitësit kryesorë të këtij zhvillimi. Së pari, një bazë solide që këta të rinj kanë marrë përgjatë arsimit të tyre, si dhe ndërveprimit të vazhdueshëm me klientë të ndryshëm të huaj. Kjo ka bërë që këto firma të ballafaqohen me kërkesa të avancuara dhe komplekse, që kërkojnë dije dhe ekspertizë të avancuar digjitale. Me komentet (feedback) që kanë marrë nga këta klientë, këto firma kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e punës, dukë siguruar kështu që cilësia e punës së tyre të përmbushë standardet e tregut ndërkombëtar. Por, deri më tani, të arriturat e këtij sektori kanë mbetur të izoluara. Firmat dhe sektorët e tjerë të ekonomisë sonë nuk kanë përfituar mjaftueshëm nga ky zhvillim.

Çfarë kemi bërë që të rinjtë tanë të arsimohen dhe të aftësohen për tregun e punës?

Për fat të keq, nuk kemi bërë sa duhet. Shkollat profesionale konsiderohen si institucionet kryesor përmes të cilave shoqëria përgatitë gjeneratat e reja për tregun e punës. Formalisht, në letër, ne nuk qëndrojmë keq. Të dhënat thonë se më shumë se gjysma e nxënësve në shkollat tona të mesme regjistrohen në shkolla profesionale, por nëse krahasojmë me Slloveninë, prapë jemi më poshtë. Mirëpo, nuk është ky problemi themelor.

Çështja është se a ofron sistemi ynë i shkollave profesionale ndonjë aftësim praktik, që të rinjtë tanë të gjejnë punë pas diplomimit. Evidenca nuk e konfirmon këtë. Dhe, kjo ndodhë për një arsye. Gjatë procesit arsimor në shkollat tona profesionale, nxënësit tanë shumë pak bëjnë punë praktike. Kjo bën që aftësitë teknike, të nevojshme për tregun e punës, të jenë minimale. Sipas Fondacionit Evropian për Trajnim, në vitin 2024 vetëm shtatë përqind e nxënësve bëjnë punë praktike nëpër firmat tona - në krahasim me Slloveninë ku tre nga çdo katër nxënës bëjnë punë praktike në firma afariste.

Sigurisht, ekonomia jonë s’mund të krahasohet me atë sllovene, por, përqindja e ulët nuk mund të justifikohet. Shifrat që ndonjëherë i prezanton qeveria, të tilla si 480 nxënës kanë fituar kualifikim përmes programeve që ndërthurin mësimin në klasë me punën praktike në vitet 2025–2026, krahasuar me 90 nxënës në vitin e mëparshëm, nuk janë as serioze dhe as nuk mund të arsyetojë mungesën e punës në këtë drejtim.

Si mund ta ndryshojmë gjendjen?

Hapi i parë që duhet ndërmarrë është të reformohet sistemi arsimor profesional (me kurrikula, me staf të mësimdhënies, me mjete mësimore etj.), që të mundësojë përgatitjen e nxënësve për nevojat e tregut. Organet publike duhet që, në koordinim me firmat dhe sektorët e vendit, të identifikojnë cilat janë mungesat e fuqisë së aftë punëtore që kërkon adresim urgjent, në mënyrë që pastaj me akterët e tjerë të zhvillimit - firmat, shkollat profesionale, universitetet, institutet e trajnimeve - të diskutojnë se si duhet t’i qasen zgjidhjes së problemeve. Në këto takime vendoset për burimet e nevojshme, rolin dhe përgjegjësitë që duhet të kenë firmat, shkollat profesionale, përcaktohen indikatorët për matjen e rezultateve etj. Pa koordinim dhe pa përcaktim të përgjegjësive, indikatorëve matës të rezultateve që reflektojnë shkallën e aftësimit të të rinjve dhe punësimit të tyre, janë të vogla gjasat që ne të përfitojmë nga avantazhi i popullsisë më të re në Evropë. Rrjedhimisht, procesi i ngushtimit të hendekut të zhvillimit me ekonomitë e përparuara do të zgjatet, por edhe mund të rritet.

Si përfundim, çdo qasje që në fokus primar ka vetëm hartimin e strategjive të zhvillimit që duken bukur në letër, apo në slajde prezantimi - siç ka ndodhur deri më tani - vetëm mund ta dëmtojë zhvillimin. Ajo që do duhej të ndodhë është që fillimisht të dimë se ku po çalojmë në përgatitjen e të rinjve tanë për treg të punës; cilat janë nevojat e shkollave tona profesionale, çfarë duhet të bëjë sektori privat - firmat - që ky problem të fillojë të zgjidhet; cili është roli i shtetit në këtë drejtim etj. Ky është një proces, jo një akt politikë. Sa më herët që niset ky proces, aq më shpejt do t’i shohim rezultatet se si potenciali i të qenit populli me i ri në Evropë përkthehet në zhvillim ekonomik dhe shoqëror. /Telegrafi/