28 Nëntori mes festës dhe revoltës, shqiptarët marshojnë kundër Ramës
🇬🇧 Read in EnglishDita e Pavarësisë së Shqipërisë do të shoqërohet këtë vit edhe me një protestë kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës. Studentë, qytetarë dhe shqiptarë që pritet të mbërrijnë nga jashtë vendit janë thirrur të mblidhen sot në Tiranë, në një tubim ku kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit.
Protesta është paralajmëruar të nisë përpara Ministrisë së Arsimit, nga ku pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ndërsa në njoftimet e shpërndara në rrjetet sociale janë publikuar orare të ndryshme, 10:00 dhe 12:00.
Ndërkohë, përballë pritshmërive për një pjesëmarrje të gjerë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, duke angazhuar mbi 2500 efektivë, përfshirë edhe punonjës me veshje civile.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e strukturave përkatëse, ku janë përcaktuar detyrat dhe mënyra e ndërhyrjes për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.
RENEA dhe FNSH në gatishmëri
Në planin e sigurisë janë përfshirë efektivë nga gjashtë komisariatet e Tiranës, të mbështetur edhe nga strukturat policore të Vorës dhe Krujës.
Në gatishmëri janë vendosur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), reparti special RENEA, njësitë “Shqiponja” dhe Policia Rrugore. Gjithashtu, janë parashikuar automjete ujëhedhëse, të cilat mund të përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës.
Nën masa të shtuara sigurie do të jenë institucionet kryesore shtetërore dhe politike, mes tyre Ministria e Arsimit, Kryeministria, Kuvendi dhe selia e Partisë Socialiste.
Kontrolle në kufi, në terren edhe Antiterrori
Masat nuk do të kufizohen vetëm në kryeqytet. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe pikave të kalimit kufitar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të informacioneve mbi pjesëmarrjen e mundshme të grupeve të organizuara nga këto vende.
Në kontrollet kufitare pritet të angazhohen edhe strukturat e Antiterrorit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Sipas informacioneve të bëra publike, kontrollet synojnë identifikimin e personave për të cilët ka të dhëna se mund të nxisin akte dhune apo të cenojnë sigurinë publike.
Angazhimi i forcave policore në terren është parashikuar të nisë që në orën 07:00 të mëngjesit. Ndërkohë, Policia Rrugore do të përqendrohet kryesisht në Rrugën e Durrësit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qarkullimi mund të kufizohet ose devijohet në varësi të lëvizjes së protestuesve.
Masat e pazakonta të sigurisë vijnë pas protestave të mëparshme studentore, të cilat në disa raste janë shoqëruar me përplasje mes pjesëmarrësve dhe forcave të rendit.
Kështu, 28 Nëntori do të jetë sot një ditë me dy dimensione për Tiranën: festimet për Pavarësinë dhe një protestë kombëtare kundër qeverisë, ndërsa një numër i madh forcash policore do të jenë në gatishmëri për të monitoruar zhvillimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



