Kryesore

Gjobë për “Pronatyra treg” dhe “Redian Dobruna”/ AKU bllokon mbi 88 ton produkte ushqimore në të gjithë vendin, ndalon edhe aktivitetin e një subjekti në Berat!

09:44 - 28.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer 128 inspektime në të gjithë vendin gjatë datave 26-27 nëntor 2026, duke konstatuar shkelje të sigurisë ushqimore dhe vendosur masa administrative ndaj disa subjekteve.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, nga kontrollet janë vendosur katër masa administrative me paralajmërim për problematika që lidhen me sistemimin e ambienteve dhe rinovimin e raporteve të provave. Gjithashtu, dy subjekte janë gjobitur me një vlerë totale prej 400 mijë lekësh.

Konkretisht, Drejtoria Rajonale e AKU-së në Tiranë ka gjobitur subjektin “Redian Dobruna” me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, ndërsa subjektit “Pronatyra treg” i është vendosur një gjobë prej 300 mijë lekësh për hedhjen në treg të ushqimit të pasigurt.

Gjatë kësaj periudhe janë bllokuar gjithashtu dy ngarkesa produktesh, në një sasi totale prej 88.9 tonësh, është ndërprerë aktiviteti i një subjekti dhe janë asgjësuar 27.86 ton produkte, me kërkesë të vetë subjektit.

Një nga rastet e evidentuara nga AKU është ai i bllokimit të 25.48 tonëve misër për ushqim kafshësh, në pronësi të subjektit “Besniku shpk”, në qarkun e Durrësit.

Ngarkesa, e importuar përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Hanin e Hotit, ishte bllokuar në ambientet e magazinimit në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.

Pas përgjigjeve të analizave, u konstatua se treguesit për praninë e aflatoksinës B1 rezultonin mbi normën e lejuar. Për këtë arsye, AKU i ka kërkuar subjektit që produkti të vijojë të mbahet i bllokuar deri në kthimin e tij në vendin e origjinës.

Një tjetër rast është konstatuar në qarkun e Beratit, ku AKU, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, ka ushtruar kontroll në subjektin “Sybi Ametbeja”, me aktivitet në fushën e konservimit dhe ambalazhimit të frutave.

Gjatë kontrollit janë bllokuar 11 produkte ushqimore, në një sasi totale prej 63.422 tonësh, deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.

Produktet e bllokuara janë:

– 13.518,6 kg trangull marinadë;
– 8.624,08 kg komposto pjeshke;
– 1.198,08 kg salcë domate;
– 9.945,2 kg speca marinadë;
– 4.467,954 kg spec djegës;
– 16.503,22 kg komposto kumbulle;
– 1.205,54 kg komposto qershie;
– 947,652 kg fërgesë;
– 6.312,4 kg sallatë e përzier;
– 500 kg trahana;
– 200 kg uthull.

Përveç bllokimit të produkteve dhe marrjes së mostrave për analiza, në këtë subjekt është vendosur edhe ndërprerja urgjente e aktivitetit, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare të konstatuara në ambientet e tij.

Sipas AKU-së, aktiviteti do të qëndrojë i ndërprerë deri në plotësimin e kërkesave ligjore brenda afatit të përcaktuar.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin, në bashkëpunim me organet ligjzbatuese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.