
Qeveria u hap rrugën kompanive private për të marrë në dorë administrimin dhe konsulencën e spitaleve publike në vend, ndërsa pajisjet dhe sallat shtetërore do të vihen në dispozicion të privatit kundrejt pagesës.
Ky është thelbi i projektligjit të ri për “Autonominë Spitalore” të depozituar në Kuvend nga deputeti socialist Asfloral Haxhiu, i cili u jep spitaleve publike kompetenca të plota tregtare – si blerëse të menaxhimit privat dhe si shitëse të shërbimeve e kapaciteteve shtetërore.
Ministria e Shëndetësisë hodhi këtë të premte në mbrëmje për konsultim publik, një projektligj për krijimin e “MedAL” sh.a., një shoqëri e prezantuar zyrtarisht si 100% shtetërore për furnizimin e spitaleve publike me barna dhe pajisje mjekësore.
Në retorikën zyrtare, krijimi i kësaj shoqërie aksionare shitet si një garanci për t’u dhënë fund mungesave kronike të ilaçeve në spitalet publike. Por përtej retorikës mbi sigurinë e furnizimit, nisma fshin kufirin mes buxhetit publik dhe interesit privat, duke legalizuar privatizimin de facto të të gjithë tregut të prokurimeve mjekësore.
Neni 4 dhe Neni 6 i japin “MedAL” sh.a. të drejtën të krijojë kompani të përbashkëta dhe të blejë aksione në firma private që prodhojnë ose tregtojnë barna, duke vënë në dispozicion edhe prona shtetërore si kontribut kapitali. Edhe më shqetësuese është se këto ortakëri mund të nisin me kërkesa të pakërkuara nga biznesi privat dhe të mbulohen nga klauzola e sekretit tregtar, larg syrit të publikut dhe kontrollit të parlamentit.
Ky konstrukt ligjor nuk është shpikje e re. Të dy nenen janë një kopje e saktë e “KAYO” sh.a., kompanisë shtetërore të mbrojtjes të ngritur në vitin 2024, e cila u përdor për të transferuar pasuri ushtarake dhe kontrata furnizimi tek ortakëritë me privatin. Tani, e njëjta skemë po eksportohet nga kazermat tek të sëmurët.
Për t’i dhënë kësaj lëvizjeje një fasadë evropiane, relacioni i qeverisë citon si frymëzim agjencitë Amgros në Danimarkë dhe SPMS në Portugali. Krahasimi është një mashtrim optik. Si agjencia daneze, ashtu edhe ajo portugeze, janë blerës rreptësisht publikë që organizojnë ankande të hapura ku kompanitë private konkurrojnë për të ulur çmimet; asnjëra prej tyre nuk hyn në ortakëri biznesi me furnitorët e ilaçeve.
Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Kur blerësi i vetëm shtetëror bëhet ortak tregtar me tregtarin e barnave, konkurrenca vdes. Tenderat e hapur zëvendësohen nga një kanal i mbyllur ekskluziv, ku një kompani hibride shtet-privat vendos çmimet dhe kontrollon fluksin e qindra milionë eurove fonde publike.
Garancitë e shkruara në letër—si e drejta e vetos së shtetit apo ndalimi formal i përdorimit të fondeve të barnave për humbjet e ortakërive—mbeten të brishta përballë një konflikti interesi të ndërtuar në themel të ligjit.
Ndërkohë, plaga e vërtetë e shëndetësisë shqiptare mbetet e paprekur. Shqipëria shpenzon vetëm 326 euro për frymë në vit për kujdesin shëndetësor—rreth 11 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian—duke i detyruar qytetarët të paguajnë nga xhepi rreth 60% të faturës totale mjekësore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Kapitali
