
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, me një mesazh që vendos në qendër dokumentet historike dhe rolin e telegrameve që paraprinë shpalljen e pavarësisë në vitin 1912. Sipas Kurtit, këto telegrame mund të quhen “flamurtha të pavarësisë”.
Ai kujtoi se pavarësia e Shqipërisë, para se të shfaqej si flamur, ishte një vargan prej qindra telegramesh që lëvizën nga një qytet në tjetrin dhe thurën shpalljen e saj. Urimi i kreut të qeverisë së Kosovës përqendrohet te njerëzit e thjeshtë, te telegrafistët dhe qytetarët që paguanin për çdo fjalë të dërguar në favor të mëvetësisë.
Për Kurtin, shtetformimi u arrit përmes këmbënguljes brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija dhe nga nëna te i biri. Ai theksoi se liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë, por u përcollën me këmbëngulje nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën.
Sipas kryeministrit të Kosovës, sa herë vjen kjo ditë e shënuar, të gjithëve na shfaqet në mendje e njëjta pamje: një flamur që shpaloset nga ballkoni i shtëpisë në Vlorë ku qëndronte Ismail Qemali me atdhetarë të tjerë. Por ai zgjodhi të flasë për një tjetër pamje, për vargun e telegrameve që paraprinë atë moment.
Sipas të dhënave historike që Kurti përmendi, vargu nis më 9 nëntor 1912, me tridhjetë e dy fjalë nga Vjena: «Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.» Telegrami dërgohej nga Ismail Qemal Vlora dhe, sipas Kurtit, i mungonte adresa, por adresa ishin zemrat e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë dëshmorëve të rënë dhe e atdhetarëve të gjallë e të vdekur që kishin punuar për këtë ditë.
Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës i përcolli një telegram të radhës me rreth shtatëdhjetë fjalë kryetarëve të bashkive të tridhjetë qyteteve, nga Janina te Shkodra, nga Kosturi te Peqini: «I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij un, mbani qetësiën e bashkimin.» Nën atë telegram, vuri në dukje Kurti, është ruajtur edhe shënimi i zyrës telegrafike të Elbasanit, e cila e mori në orën 10:40 dhe e përcolli në orën 12:15 për Strugën, Ohrin, Korçën, Dibrën dhe Manastirin.
Po atë ditë telegrami shkoi për Tiranën, Krujën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën, ndërsa për Peqinin të nesërmen, në 9:20 të mëngjesit. Për Kurtin, këto janë orët, minutat dhe sekondat kur po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Ai e përshkroi këtë si të gjithë infrastrukturën e pavarësisë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër shtigje të holla telash.
Ndërkohë, Ismail Qemali vazhdonte shtegtimin. Sipas Kurtit, telegramet e atyre ditëve nuk përmbajnë porosi me ide madhështore, por flasin për karroca e për kuaj. Ai solli shembullin e Bektash Cakranit, i cili i shkruante Aziz Pashës në Berat se duheshin karroca për në Durrës «nga shkaku qi Viosa ka ardhë shum e nuk ka va».
Për kryeministrin e Kosovës, duket gati e pabesueshme, por kështu po lindte një shtet, duke kërkuar të sigurohej një karrocë, duke paralajmëruar për lumin e fryrë dhe duke kërkuar kuaj. Dhe asgjë nga këto nuk ndodhte në qetësi, theksoi ai, por brenda një rrethi prej zjarri armatash të huaja që kishin mbërthyer kufijtë e tokave shqiptare dhe po e ngushtonin unazën dita-ditës.
Kurti përmendi një telegram tjetër, të datës 25 nëntor, nga Qukësi, në orën 10:25 të mëngjesit, dërguar nga komandanti serb Simoviqi: «Populli mysliman e i krishtênë i Ohrit e i Strugës u-dha. Ju do t’epeni apo jo? Tridhet mijë ushtarët tonë serb qi ndodhen n’Ohër, janë ngarkue me ndjekun ata qi nuk epen.
Pres përgjegjë me doemos.» Sipas Kurtit, kjo ishte atmosfera e trazuar e atyre ditëve, vetëm tri ditë para ngritjes së Flamurit, kur komandanti serb kërkonte dorëzimin dhe nënshtrimin e një populli, ndërsa para shqiptarëve po shfaqeshin rrezet e para të Lirisë. Ai vuri në dukje se flamuri nuk u ngrit një herë, në një vend, siç mund të mendojë dikush.
Dy ditë më parë kishte lajmëruar Tirana: «sot Tirana ngriti flamurin kombëtar edhe shpalli independencën n’emën të gjithë Shqipniës». Të nesërmen e shpallën Durrësi, Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Pastaj erdhi Njëzet e Teta: në linjën telegrafike midis Vlorës e Elbasanit, Lef Nosi shkruan katër fjalë: «Ngrini-e sa mâ shpejt.»
Elbasani përgjigjet me tri: «Ndashti po e ngremë.» Atë pasdite, në orën katër, në shtëpinë e Xhemil Beut, dyzet burra që kishin ardhur me kalë, me vapor e në këmbë nga Berati, Dibra, Ohri, Gjirokastra, Peja, Gjakova dhe Durrësi, vendosën «me një zâ» që Shqipëria «me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme».
Po atë ditë, Luigj Gurakuqi shkroi një telegram prej rreth shtatëdhjetë fjalësh dhe ia dërgoi pesëmbëdhjetë gazetave të Evropës, mes tyre Corriere della Sera, Le Temps, The Times dhe Neue Freie Presse: «Assemblea Kombëtare… shpalli Independencën e Shqipniës.» Kurti pranoi se ajo ditë kujtohet si vepër grash e burrash të mëdhenj dhe se pa dyshim ishte e tillë.
Por kur lexohen dokumentet një nga një, sipas tij, shihet edhe diçka tjetër: një telegrafist në Fier që numëron tetëmbëdhjetë fjalë për të thënë se Ismail Qemali mbërriti shëndoshë e mirë, dhe kryeplaku i një lagjeje në Ohër që nënshkruan në emër të të gjitha lagjeve. Ai solli në vëmendje edhe njerëzit që paguanin për çdo fjalë dhe prapë i shpenzonin për t’i thënë po pavarësisë.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Flamuri u ringrit pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut. Mesazhi i tij përfundon me urimin «Gëzuar!».