Aktualitet

Sot protestë kombëtare/ Studentë, qytetarë dhe diaspora “zbarkojnë” në Tiranë

Tirana do të jetë sot në qendër të një proteste kombëtare, të thirrur nga studentët, të rinjtë dhe qytetarët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Tubimi është planifikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga të gjitha qytetet e vendit, si dhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve.

Protesta e 28 Nëntorit vjen pas gati gjashtë muajsh tubimesh dhe qëndrese të përditshme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 182-të të lëvizjes qytetare.

Prej disa javësh, organizatorët kanë intensifikuar thirrjet për mobilizim, duke synuar një pjesëmarrje sa më të gjerë në këtë manifestim. Krahas qytetarëve nga rrethet, në Tiranë pritet të mbërrijnë edhe shqiptarë nga diaspora.

Zgjedhja e 28 Nëntorit për zhvillimin e protestës lidhet edhe me simbolikën e Ditës së Pavarësisë, të cilën protestuesit e kanë ndërthurur me thirrjet për ndryshime politike dhe institucionale.

“Kërkojmë nëntorin e tretë”, “Më 28, Rama e di vetë!” dhe “Shqipërinë nuk e falim!” janë disa nga sloganet që kanë shoqëruar marshimet e fundit në kryeqytet.

Gjatë ditëve të fundit, studentët dhe të rinjtë kanë shpërndarë fletëpalosje në rrugët e Tiranës, duke ftuar qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve t’i bashkohen protestës kombëtare.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si dhe krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në platformën e tyre përfshihen gjithashtu reforma zgjedhore, kufizimi i mandateve të kryeministrit, lufta kundër korrupsionit, auditimi i administratës publike dhe mbrojtja e pasurive natyrore.

Përgjatë këtyre muajve, lëvizja është shoqëruar me marshime në rrugët e Tiranës, tubime përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, si dhe episode tensionesh me policinë. Megjithatë, protestat kanë vijuar çdo ditë, pavarësisht kushteve atmosferike.

Manifestimi i sotëm pritet të jetë një moment i rëndësishëm për lëvizjen qytetare dhe aftësinë e saj për të mobilizuar mbështetës nga i gjithë vendi dhe diaspora. Organizatorët kanë deklaruar se qëndresa do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke e cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si kusht të panegociueshëm.