Rreth 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në terren në kuadër të masave të sigurisë për protestën kombëtare të 28 Nëntorit, ku pritet një pjesëmarrje e madhe qytetarësh nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Në disa zona të kryeqytetit janë përforcuar masat e sigurisë, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në kryqëzime dhe në hyrje-daljet e Tiranës.
Efektivët po ushtrojnë kontrolle ndaj automjeteve që hyjnë në kryeqytet. Disa qytetarë kanë denoncuar kontrolle nga ana e policisë, duke pretenduar se u janë kontrolluar automjetet dhe sendet personale, ndonëse, sipas tyre, kishin me vete vetëm flamuj kuqezi.
Ndërkohë, pranë godinës së Kryeministrisë janë pozicionuar autobotë me ujë, ndërsa forca të posaçme policore janë dislokuar pranë selisë së Partisë Socialiste, Ministrisë së Brendshme dhe në zonën e Bllokut të Ministrive.
Masat e shtuara të sigurisë vijnë në kuadër të protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin, ndërsa kryeqyteti është nën monitorimin e forcave të policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.













