Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit.

Nga Prekazi, Çitaku ka uruar 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, duke theksuar rëndësinë e kësaj date për historinë kombëtare, e cila shënon Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.


Ajo ka thënë se Prekazi mbetet vendi ku shqiptarët gjejnë frymëzim dhe energji, duke e cilësuar kontributin e Adem Jasharit dhe UÇK-së si themel të lirisë së Kosovës.

“Sa herë që kemi nevojë për energji, për frymëzim, rrugët na sjellin në Prekaz. Prekazi, Adem Jashari dhe UÇK-ja janë në themelet e lirisë sonë. Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ka deklaruar Çitaku.

Në këtë ditë, ajo u ka bërë thirrje shqiptarëve që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të vlerave kombëtare.

“Edhe sot, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të rrinë të bashkuar dhe më të bashkuar se që janë në mbrojtje të vlerave më sublime që i kemi krijuar si komb”, ka thënë Çitaku.