Studentët janë mes qytetarëve që i janë bashkuar protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë. Një prej tyre ka ngritur shqetësimin për mundësitë e punësimit dhe të ardhmen e të rinjve në Shqipëri, duke deklaruar se meritokracia mungon dhe se vendet e punës, sipas tij, u rezervohen fëmijëve të oligarkëve dhe personave me pushtet ekonomik.

Në një prononcim gjatë protestës, studenti tha se ka punuar për katër vite si kamerier dhe se nuk dëshiron që kjo të jetë e ardhmja e tij dhe e bashkëmoshatarëve. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si mund të ndërtojnë jetën studentët në kushtet aktuale.

Në fund, ai u bëri thirrje shqiptarëve që po e ndjekin protestën përmes televizionit të lënë shtëpitë dhe t’u bashkohen qytetarëve në shesh.

“Problemi i vetëm është se gjysma e shqiptarëve duan të protestojnë dhe ta heqim qafe. Si mund të pranojmë një qeveri të korruptuar? Si do të rrojmë ne si studentë?

Kamarierë do të punojmë tërë jetën, sepse unë kam punuar katër vite. Vendet e punës zihen nga fëmijët e oligarkëve dhe atyre që kanë lekë. Ndaj dal në protestë.

U them shqiptarëve që na ndjekin në televizor të vijnë në protestë dhe në shesh. Shqiptarë, ngrihuni nga divanet dhe ejani në shesh!”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb