Nga selia e PD-së te kulla në bregdet, Genc Deromemaj dhe leja 17-katëshe në Sarandë
🇬🇧 Read in EnglishNë politikë mund të ndryshosh kamp, në administratë mund të qëndrosh vetëm disa muaj, por në biznes mund të vazhdosh të korrësh frytet e investimeve. Rasti i Genc Deromemajt, ish-kreut të Partisë Demokratike në Vlorë dhe ish-drejtorit të Kadastrës së këtij qarku, sjell në vëmendje pikërisht këtë kontrast: nga një karrierë e gjatë në opozitë, te një post i rëndësishëm në administratë dhe më pas te një projekt ndërtimi me 17 kate në qendër të Sarandës.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur lejen e zhvillimit për një godinë me 17 kate mbi tokë dhe tre kate nëntokë, me destinacion banimi dhe shërbimi. Subjekti zhvillues është shoqëria N94 sh.p.k., e cila, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, zotërohet 100% nga Genc Deromemaj.
Pra, pas projektit që do të ngrihet në një prej zonave më të lakmuara të Sarandës qëndron pikërisht ish-drejtuesi i Kadastrës së Vlorës, institucioni që administron çështje pronësie në një territor të gjerë bregdetar. Një përkim që, të paktën, meriton më shumë se një shpjegim formal.
Deromemaj ka qenë një figurë aktive e Partisë Demokratike në Vlorë që prej vitit 2002. Për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e strukturave të kësaj force politike dhe ka kandiduar disa herë nën siglën e saj, përfshirë edhe për deputet. Por në verën e vitit 2025, pas një karriere të gjatë në opozitë, ai u emërua drejtor i Kadastrës së Vlorës.
Emërimi erdhi në një kohë kur mazhoranca po përpiqej të afronte figura nga forca të ndryshme politike. Kështu, një eksponent i njohur i PD-së së Vlorës përfundoi në drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme për administrimin e pronave në qark. Por qëndrimi i tij në këtë detyrë ishte i shkurtër. Në nëntor të vitit 2025, pas vetëm disa muajsh, Deromemaj u largua nga Kadastra. Nuk dihet nëse u shkarkua apo nëse angazhimi i tij në këtë institucion kishte përfunduar.
Kadastra e Vlorës nuk është një zyrë dosjesh të zakonshme. Ajo mbulon një territor me vlera të mëdha pronësore dhe bregdetare, ndërsa institucioni ka pasur ndryshime të shpeshta në drejtim. Disa prej drejtuesve të mëparshëm janë proceduar penalisht, ndërsa të tjerë janë arrestuar. Në këtë kontekst, kalimi i Deromemajt nga drejtimi i Kadastrës te një projekt i rëndësishëm ndërtimi në Sarandë e bën edhe më të nevojshme transparencën për çdo interes të mundshëm.
Por ka edhe një detaj tjetër që e bën historinë më interesante. Gjatë kohës që drejtonte Kadastrën, Deromemaj ishte larguar nga administrimi i drejtpërdrejtë i kompanisë së tij, por jo nga pronësia. Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ai vijonte të zotëronte 100% të aksioneve të N94 sh.p.k., ndërsa drejtimin e shoqërisë ua kishte kaluar personave të afërt.
Me fjalë të tjera, ndryshoi administrimi i kompanisë, por jo pronari. Deromemaj mbante postin publik, ndërsa biznesi i tij vijonte të ekzistonte dhe të ishte në pronësinë e tij të plotë. Në nëntor të vitit 2025 ai u largua nga Kadastra dhe iu rikthye aktivitetit privat. Sot, emri i kompanisë së tij shfaqet në dokumentet e një projekti shumëkatësh në qendër të Sarandës.
Leja e zhvillimit e vendos objektin vetëm 200–300 metra larg vijës bregdetare. Trualli ndodhet në qendrën urbane të qytetit, kufizohet në perëndim nga komplekse hoteliere dhe në lindje nga blloqe banimi që ngjiten drejt pjesëve më të larta të Sarandës. Sipërfaqja e truallit të propozuar, sipas dokumentacionit, është 100 metra katrorë.
Dhe nuk bëhet fjalë për një ndërtesë të zakonshme. Projekti parashikon 17 kate mbi tokë dhe tre kate nëntokë. Dy katet e para do të përdoren për shërbime, ndërsa 15 katet e tjera do të kenë funksion banimi. Në dokumentacion parashikohen rreth 66 njësi banimi, të organizuara në tipologji të ndryshme.
Një kullë në zemër të Sarandës, pak qindra metra nga deti, me dhjetëra apartamente dhe ambiente shërbimi. Ky është projekti që do të zhvillojë kompania ku Genc Deromemaj figuron si pronar i vetëm.
Nga viti 2002 deri në vitin 2025, Deromemaj ishte pjesë e opozitës dhe e strukturave të Partisë Demokratike në Vlorë. Në verën e vitit 2025 u emërua në krye të Kadastrës së këtij qarku, ndërsa në nëntor u largua nga detyra. Ndërkohë, pronësia mbi kompaninë N94 sh.p.k. nuk ndryshoi dhe sot kjo shoqëri rezulton zhvilluese e kullës 17-katëshe në Sarandë.
Kjo është kronologjia që del nga dokumentet: një eksponent i vjetër i opozitës, një post drejtues në administratën shtetërore dhe një leje zhvillimi për një projekt të konsiderueshëm në bregdet. Nëse bëhet fjalë për një rastësi të zakonshme biznesi apo për një histori që meriton të hetohet më thellë, përgjigjet duhet të jepen përmes dokumenteve dhe transparencës publike.
Sepse në fund, pyetja nuk është vetëm kush do ta ndërtojë kullën 17-katëshe në Sarandë. Pyetja është se si një ish-drejtues i Kadastrës, që gjatë ushtrimit të detyrës zotëronte ende kompaninë e tij, përfundon me një projekt të tillë në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco







