Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë nga qelia një mesazh urimi për shqiptarët me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj ka publikuar një video me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshi Skënderbej, të zbukuruar me flamuj kuqezi në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku shpreh dëshirën për të qenë pranë qytetarëve të Tiranës në këtë ditë të shënuar, për të ngritur flamurin kombëtar dhe për të nderuar kujtimin e atyre që sakrifikuan jetën për atdheun.

Veliaj thekson se liria është një e drejtë e fituar me sakrifica, ndërsa nderimi i amanetit të të parëve, sipas tij, kalon përmes mbrojtjes së lirisë dhe drejtësisë.

“Gëzuar festat e 28-29 Nëntorit! Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.

Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet.

Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë. Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut! Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin!”, shkruan Veliaj.