Nga Enkelejda Korreshi
Patriot i Rilindjes Kombëtare, anëtar i Komisionit Nismëtar të Kongresit të Lushnjës dhe veprimtar i çështjes kombëtare
Në këtë 28 Nëntor ndryshe, kur flamuri nuk duhet të fshihet pas festës dhe kur dashuria për vendin matet edhe me përgjegjësinë që ndiejmë për të, mendova të kthehem te rrënjët tona, te historia e familjes dhe te një figurë që meriton të nderohet e të mbahet mend: Taullah Sinani. Në ditë kur kujtesa kombëtare shpesh mbetet në kufijtë e ceremonive dhe fjalëve, njohja e historisë së të parëve bëhet një detyrim jo vetëm familjar, por edhe një detyrim i lartë qytetar e njerëzor.
Ky shkrim lindi nga dëshira për të rindërtuar me vërtetësi portretin e stërgjyshit tonë, Taullah Sinanit, përmes hulumtimit, dokumenteve, bisedave dhe shkëmbimeve të çmuara me kushëririn tim, Shkëlzen Sinani. Për mua, kjo nuk është thjesht një punë arkivore apo një kronikë e largët historike; është një udhëtim shpirtëror drejt trungut tonë familjar. Gjyshja ime nga babai, Ike Sinani (Korreshi), ishte mbesa e tij dhe ruante në kujtesën e saj rrëfime e kujtime të çmuara për historinë e familjes sonë, kurse babai im ka qenë dëshmitar i gjallë i kujtimit të tij, duke ruajtur me përulje dhe respekt çdo thënie e histori që lidhej me emrin e Taullahut. Përtej gjakut, ajo që na lidh me të është një trashëgimi vlerash që nuk duhet të shuhet kurrë.
Taullah Sinani lindi në vitin 1869 në Kasharaj të Karbunarës, në Myzeqe, në një kohë kur trojet shqiptare lëngonin nën sundimin osman dhe ideja e lirisë po ndizte zemrat e patriotëve. Nga fundi i shekullit XIX, Taullah Sinani u mobilizua për të kryer shërbimin ushtarak (nizam) në Jemen. Por refuzimi për t’i shërbyer një perandorie që po mbyste atdheun e tij e shtyu drejt një vendimi të guximshëm: u arratis. Sipas të dhënave të botuara në revistën “Myzeqeja”, pas arratisjes ai qëndroi rreth tre vjet në Stamboll, ku mësoi me përkushtim leximin dhe shkrimin e gjuhës shqipe, ndërsa më pas kaloi për një periudhë në Bukuresht dhe Selanik. U kthye në atdhe në prag të kryengritjeve të vitit 1905, rreth moshës 36-vjeçare, pas qëndrimit në vende të ndryshme, ku kishte vijuar jetën dhe veprimtarinë e tij, dhe iu bashkua pa lëkundje lëvizjes patriotike. Këto udhëtime, përvoja dhe kontakte në qendra të rëndësishme të kohës i dhanë një horizont të gjerë intelektual, duke ndikuar në formimin e tij dhe në zgjerimin e botëkuptimit të një njeriu që nuk e shihte fatin e vendit të ndarë nga lëvizja kombëtare shqiptare.
Në krye të çetës së Karbunarës, Taullahu u bë shtylla e qëndresës kundër pushtuesit osman në Myzeqe. Veprimtaria e tij dokumentohet herët; gazeta “Liria e Shqypnisë”, në numrin e datës 7 korrik 1911, e përmend atë krah figurave të shquara si Llazar Bozo, Ikonom Dhima, Besim Nuri e Jovan Ndreko, si një nga organizatorët e planeve për kryengritjen e armatosur kundër garnizonit osman në Lushnjë. Ky pohim është një dëshmi e rëndësishme se emri i tij ishte pjesë e veprimtarisë patriotike të kohës dhe se çeta e Karbunarës kishte rol në përpjekjet për çlirimin kombëtar.
Në ditët e nëntorit 1912, kur Shqipëria po lindte sërish përmes Aktit të Pavarësisë, Taullah Sinani nuk qëndroi spektator. Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, ai u nis në krye të forcave vullnetare nga Fieri drejt Vlorës, për të mbështetur Kuvendin dhe qeverinë e sapoformuar të Ismail Qemalit.
Kronikat dhe dëshmitë historike na sjellin episode drithëruese të atyre ditëve. Sipas shënimeve të Ferit bej Vokopolës, kur delegatët e Kosovës, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica, u arrestuan nga një patrullë osmane teksa udhëtonin drejt Vlorës, ishin Taullah Sinani, Ferit Vokopola, Nebi Sefa dhe pesë burra të armatosur të çetës së Karbunarës ata që ndërhynë me vendosmëri për të mbrojtur përfaqësuesit e Kosovës dhe për të mos lejuar pengimin e rrugës së tyre drejt aktit të Pavarësisë. Me ndërhyrjen e tyre, delegatët u liruan dhe mundën të vazhdonin rrugën drejt Kuvendit Historik.
Revista “Myzeqeja” sjell dëshmi me interes të veçantë për veprimtarinë e Taullah Sinanit në vitet e para të shtetit shqiptar. Sipas këtij botimi, Taullahu dhe patriotë të tjerë pritën Ismail Qemalin te Ura e Darçit, pranë Kavajës, për t’i përcjellë porosinë urgjente të Ferit Vokopolës dhe Ibrahim Borshit, komandant i Xhandarmërisë së Lushnjës, që të kthehej në Çermë për t’i shpëtuar një arrestimi të planifikuar në Gramsh. Po sipas revistës, Taullahu, në krye të çetës së Karbunarës, shkoi në Vlorë për të mbështetur qeverinë e Ismail Qemalit. Angazhimi i tij vazhdoi edhe në përballjet me forcat e Haxhi Qamilit dhe me ndërhyrjen serbe në Shkallën e Tujanit. Këto episode dëshmojnë se për Taullah Sinanin mbrojtja e çështjes kombëtare dhe e shtetit shqiptar nuk ishte një angazhim i përkohshëm, por një mision që e ndoqi edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, në vitet e trazuara kur ekzistenca e shtetit të ri vihej vazhdimisht në rrezik.
Pas Luftës së Parë Botërore, kur fati i Shqipërisë ishte përsëri në rrezik dhe synimet e fuqive të huaja kërcënonin pavarësinë e saj, Taullah Sinani u rreshtua ndër veprimtarët që morën përsipër organizimin e Kongresit të Lushnjës dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare. Karbunara dhe Lushnja u kthyen në qendra të rëndësishme të përpjekjeve për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së vendit.
Më 31 dhjetor 1919, në Teqenë e Karbunarës, u formua Komisioni Nismëtar prej 28 anëtarësh për thirrjen e Kongresit të Lushnjës, ku bënte pjesë edhe Taullah Sinani, krahas emrave si Besim Nuri, Llazar Bozo, Jakov Bozo, Eshref Frashëri, Ferit Vokopola, Nebi Sefa dhe Zija Mullaj. Sipas kujtimeve të Bajram Haxhiut, atij iu besua misioni i rëndësishëm i përcjelljes së ftesave në Tiranë, Dibër e Shkodër, një dëshmi e besimit të madh që gëzonte si njeri i “penës dhe i pushkës”.
Gjatë vetë Kongresit, për shkak të guximit dhe autoritetit që zotëronte, ai u ngarkua t’i dorëzonte ultimatumin gjeneralit italian Piacentini, i cili ishte vendosur në periferi të qytetit të Lushnjës. Një dëshmi tjetër e rëndësishme për ditët e Kongresit gjendet në revistën “Myzeqeja”, ku Taullah Sinani përmendet si një ndër firmëtarët e thirrjes së Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe ndër veprimtarët më aktivë për organizimin dhe mbrojtjen e tij. Po sipas këtij botimi, Kongresi e ngarkoi me detyrën e dorëzimit të ultimatumit gjeneralit italian Piacentini. Kjo e dhënë ka rëndësi të veçantë, sepse tregon se atij iu besua një detyrë delikate në një çast vendimtar, kur vendimet e Kongresit dhe vetë sovraniteti i vendit kërkonin vendosmëri e guxim.
Një dëshmi veçanërisht e rëndësishme për këtë periudhë është dorëshkrimi i Bami Çelës, nga lagjja “Çlirimi” e Lushnjës, i shkruar më 27 tetor 1966. Dorëshkrimi, i ruajtur në materialet e ish-Muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Lushnjës, përmban kujtime të një pjesëmarrësi në ngjarjet e asaj kohe dhe hedh dritë mbi organizimin e mbrojtjes së mbledhjes historike.
Bami Çela tregon se, me urdhër të Llazar Bozos, shkoi te vendi i njohur si “Kisha e Madhe”, në lindje të Lushnjës. Aty gjeti Taullah Sinanin, Hamit Xhekën, Mahmut Hidrin, Muç Bamin, Lim Sefën, Met Gegën dhe shumë të tjerë. Në mesin e tyre ndodhej edhe Meleq Frashëri, komandant i Xhandarmërisë së Lushnjës. Sipas dorëshkrimit, Meleq Frashëri u kërkoi të pranishmëve të dilnin vullnetarë për një mision që mund të kërkonte sakrifica të mëdha. Bami Çela kujton se disa burra dolën vullnetarë, ndër ta Muç Bani, Met Gega, Lim Sefa dhe vetë ai, ndonëse ishte më i riu.
Më pas, Meleq Frashëri u shpjegoi se do të ndërhynin pranë oficerit italian që qëndronte te Hani i Shaqir Fugës. Vullnetarëve u caktoi pozicionet dhe u dha porosi që, nëse dëgjonin krisma armësh, të pengonin rojet italiane të ndërhynin derisa grupi të kthehej. Bami Çela tregon se, pas takimit me oficerin italian, grupi shkoi në shtëpinë e Kaso Fugës. Në hyrje qëndronte në roje Caush Bushi nga Karbunara. Kur e pyeti se çfarë po ndodhte në katin e sipërm, mori përgjigjen: “Lart është mbledhur e gjithë Shqipëria. Kanë disa ditë që mblidhen lart, bisedojnë për shpëtimin e Shqipërisë nga armiqtë.” Kjo fjali e ruajtur në kujtimet e Bami Çelës është domethënëse, sepse përçon mënyrën se si njerëzit e kohës e përjetonin rëndësinë e mbledhjes së Lushnjës. Ajo nuk shihej thjesht si një takim i delegatëve, por si një përpjekje për shpëtimin e vendit.
Më tej, Bami Çela kujton se të nesërmen, në orët e para të natës, ata zunë pozicione në kodrat e Karbunarës, në vendin ku sot ndodhet rezervuari i fabrikës së letrës. Ai rrëfen se pa ushtrinë italiane duke u larguar nga qyteti i Lushnjës në drejtim të Fierit.
Për Taullah Sinanin, rëndësia e këtij dorëshkrimi qëndron te fakti se ai përmendet shprehimisht mes patriotëve të mbledhur te “Kisha e Madhe”, në një grup ku organizohej një mision i lidhur me sigurinë e mbledhjes. Dëshmia duhet lexuar si kujtim personal i shkruar shumë vite pas ngjarjeve dhe duhet krahasuar me dokumente të tjera të kohës. Megjithatë, ajo përbën një burim të çmuar për të kuptuar rolin e patriotëve të Karbunarës dhe të Lushnjës në mbrojtjen e Kongresit.
Përtej dokumenteve dhe kujtimeve të shkruara, historia familjare ruan edhe gjurmë të tjera të jetës së tij. Shtëpia e familjes ka qenë ndër banesat e Myzeqesë që kanë pritur delegatë të Kongresit. Emri i Taullahut është shënuar edhe në muret e Shtëpisë-Muze të Kongresit të Lushnjës. Këto janë gjurmë të rëndësishme të kujtesës historike dhe familjare, të cilat dëshmojnë lidhjen e tij me ngjarjet e Kongresit.
Në vitin 1920, Taullah Sinani mori pjesë edhe në Luftën e Vlorës, duke vazhduar angazhimin e tij në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit territorial të vendit. Në vitet që pasuan, ai mbeti i lidhur me zhvillimet politike dhe patriotike. U përfshi në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924 dhe në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935.
Një fotografi e çmuar paraqet çetën e Karbunarës përpara teqesë së fshatit, në vitin 1926. Në qendër të saj, i veshur me të bardha, është Taullah Sinani. Në pjesën e poshtme djathtas, në këmbë, shihet mësuesi Ahmet Shehu. Kjo fotografi ka një vlerë të veçantë, sepse na sjell përpara syve Taullahun mes njerëzve me të cilët ndau veprimtarinë dhe përpjekjet e kohës.
Gjurmët e tij ruhen edhe në dëshmi të tjera. Sipas studiuesve Niko Ferro dhe Elmaz Sherifi, Taullah Sinani kishte fituar miqësinë dhe besimin e diplomatit britanik Morton Frederick Eden. Veprimtaria e Taullah Sinanit është përmendur edhe në shkrime që lidhen me këtë diplomat. Në botimet e Niko Ferros, Elmaz Sherifit dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar përmendet shoqërimi dhe mbështetja që Taullahu i dha Edenit gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri. Ky fakt është një tjetër element që meriton hulumtim të mëtejshëm, për të kuptuar më mirë marrëdhëniet dhe kontaktet që kishte krijuar ai në atë periudhë.
Kujtesa familjare ruan gjithashtu figurën e një njeriu me kulturë të gjerë, që dinte gjuhë të huaja dhe kishte njohuri të shumta. Këto kujtime janë përcjellë brez pas brezi, përmes rrëfimeve të gjyshes sime nga babai, Ike Sinani (Korreshi), si dhe nga Ramazan Korreshi, babai im, dhe Agim Sinani, babai i kushëririt tim Shkëlzen Sinani. Sipas këtyre dëshmive familjare, Taullahu ishte njeri i ditur, me interes të veçantë për arsimin dhe jetën shoqërore. Këto kujtime më nxisin të hulumtoj më tej për shkollimin dhe veprimtarinë e tij si mësues, në mënyrë që kjo pjesë e jetës së Taullahut të ndriçohet edhe përmes dokumenteve dhe dëshmive historike.
Në maj të vitit 1935, në Karbunarë u zhvillua një takim ku morën pjesë Taullah Sinani, Llazar Bozo, Riza Cerova, Hysni Jeniçeri dhe Ahmet Shehu. Sipas materialeve të Kozma Gjinit, në këtë takim u diskutua për kryengritjen kundër regjimit të Zogut dhe bashkëpunimin mes Myzeqesë dhe Skraparit. Sipas të dhënave të përcjella nga Ilirjan Gjika dhe Mentar Belegu, Taullah Sinani u bë një nga krerët e Kryengritjes së Fierit në maj-gusht 1935.
Më 14 gusht 1935, kryengritësit mbërritën në Lushnjë dhe iu bashkuan forcave të Karbunarës të drejtuara nga Taullahu, sipas të dhënave të Ilirjan Gjikës, i cili i referohet Mentar Belegut. Pas marshimit të forcave kryengritëse drejt Lushnjës dhe shtypjes së kryengritjes, Taullah Sinani u dënua me vdekje, por dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Ky ishte një çmim i rëndë për bindjet dhe angazhimin e tij politik.
Një dëshmi e drejtpërdrejtë për dënimin e tij gjendet edhe në një kronikë gazete të kohës, të botuar pas gjyqit të zhvilluar në Fier në shtator të vitit 1935. Në titullin e saj njoftohet se Gjyqi i Posaçëm për Faje Politike kishte dënuar me vdekje Taullah Sinanin, Yysni bej Jeniçerin dhe Abdul bej Gjirokastrën. Në kronikë thuhet shprehimisht se vendimi për Taullah Sinanin u dha më 14 shtator 1935, në orën 13:00. Ky dokument i shtypit të kohës përbën një dëshmi të rëndësishme për fatin e tij pas Kryengritjes së Fierit dhe konfirmon se ai ishte ndër personat ndaj të cilëve gjykata dha dënimin më të rëndë.
Sipas jetëshkrimit të botuar në revistën “Myzeqeja”, pas hapjes së burgjeve në vitin 1939 Taullahu u lirua, por ishte i sëmurë. Vuajtjet dhe kalvari i burgimit kishin lënë gjurmë të rënda në shëndetin e tij. Ai u nda nga jeta në prill të vitit 1943. Për rrethanat e sakta të burgimit, gjendjen e tij gjatë atyre viteve dhe kushtet në të cilat kaloi fundin e jetës, ende nevojiten dokumente të tjera. Kujtimet e përcjella nga të parët tanë mbeten një pjesë e çmuar e historisë familjare, ndërsa dokumentet dhe burimet arkivore mund të ndihmojnë për të hedhur më shumë dritë mbi këto momente të jetës së tij.
Vlerësimi për veprimtarinë e Taullah Sinanit u shpreh edhe përmes nderimeve zyrtare dhe kujtesës publike. Sipas të dhënave të botuara në revistën “Myzeqeja”, ai u dekorua në vitin 1962 nga Kuvendi Popullor për veprimtari patriotike. Më 1994, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, i akordoi “Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”. Ai u shpall edhe “Qytetar Nderi” i Lushnjës, ndërsa një rrugë e qytetit mban emrin e tij.
Një dëshmi e paharruar e këtij nderimi publik është vendosja e bustit të tij më 30 prill 2011, pranë muzeut të qytetit të Lushnjës. Busti është vepër e skulptorit Maksim Bushi dhe u realizua me mbështetjen e Bashkisë së Lushnjës dhe të Agim Sinanit. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë familjarë të Taullahut, mes tyre babai im, Ramazan Korreshi, si dhe pasardhës, miq e dashamirës. Drejtori i Muzeut Historik të Lushnjës, Niko Ferro, mbajti një fjalë gjatë ceremonisë që përbën një dëshmi të rëndësishme për vlerësimin dhe kujtesën publike të figurës së Taullah Sinanit në qytetin e Lushnjës. Në emër të Bashkisë përshëndeti kryetari i atëhershëm, Albert Sanxhaku, ndërsa në emër të familjes foli Agim Sinani, nipi i Taullahut. Ky përurim ishte një akt i kujtesës publike, një shenjë se kontributi i tij vazhdon të zërë vend në historinë dhe identitetin e qytetit.
Revista “Myzeqeja”, në numrin 9 të vitit 2012, në faqen 39, botoi shkrimin “Busti i Taullah Sinanit në Lushnjë”, ku përshkruhet ceremonia e përurimit dhe jepet një përmbledhje e jetës së tij përmes jetëshkrimit “Kush ishte Taullah Sinani?”. Ky material përbën një tjetër pikënisje të vlefshme për kërkimet dhe dokumentimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tij. Ai sjell të dhëna për jetën, udhëtimet, veprimtarinë dhe nderimet e Taullah Sinanit.
Një pasuri e veçantë për këtë histori janë edhe fotografitë që kanë mbijetuar në kujtesën dhe arkivin familjar. Njëra prej tyre paraqet shtëpinë historike ku u zhvillua Kongresi i Lushnjës. Viti i fotografimit nuk është përcaktuar me siguri; nga veshjet e personave që shihen në të, mund të bëhet vetëm një datim paraprak, afërsisht në vitet 1919–1921. Kjo fotografi ka rëndësi jo vetëm si dëshmi pamore e asaj kohe, por edhe si pjesë e kujtesës së një vendi ku u zhvilluan ngjarje me rëndësi për historinë kombëtare.
Për të rindërtuar sa më drejt jetën dhe veprimtarinë e Taullah Sinanit, janë shfrytëzuar burime të ndryshme: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimet dhe kujtimet e Kevin Haxhiut dhe Bajram Haxhiut, shkrime të Niko Ferros dhe Elmaz Sherifit, studime të Ilirjan Gjikës dhe Kozma Gjinit, referimet e Mentar Belegut, gazeta “Liria e Shqypnisë” e datës 7 korrik 1911, materiali i publikuar te “Lushnja Histori Tradita” mbi shënimet e Ferit bej Vokopolës, si dhe dorëshkrimi i Bami Çelës, i shkruar më 27 tetor 1966. Një burim me rëndësi të veçantë është edhe revista periodike social-kulturore “Myzeqeja”, nr. 9, viti 2012, faqja 39, ku botohen materiali “Busti i Taullah Sinanit në Lushnjë” dhe jetëshkrimi “Kush ishte Taullah Sinani?”. Këto burime sjellin të dhëna të rëndësishme për jetën, udhëtimet, veprimtarinë dhe nderimet e tij.
Në këtë proces kërkimi, një ndihmë të çmuar po jep edhe Niko Ferro. Në muze ruhen kopje gazetash ku përmendet Taullah Sinani. Ai ka orientuar gjithashtu kërkimin drejt disa botimeve historike e kulturore për Lushnjën, Karbunarën dhe Myzeqenë. Po ashtu, fjala që Niko Ferro mbajti me rastin e ceremonisë së vendosjes së bustit, më 30 prill 2011, përbën një dëshmi të rëndësishme për mënyrën se si është ruajtur kujtimi i Taullah Sinanit në qytetin e Lushnjës.
Siç më ka këshilluar Niko Ferro, drejtori i muzeut dhe një mik i historisë sonë, në fondet e ruajtura në godinën e ish-nënprefekturës ndodhet një regjistër i gjendjes civile i vitit 1931, ku mund të gjenden të dhëna për Taullah Sinanin dhe familjen e tij. Për të siguruar informacionin që përmban ky regjistër, nevojitet një kërkesë nga pasardhësit e familjes. Ky dokument përbën një burim të rëndësishëm për të plotësuar më tej të dhënat mbi jetën dhe veprimtarinë e tij. Për këtë arsye, kam ndërmend të vijoj kërkimet edhe në shtypin e kohës dhe në dokumentet e tjera arkivore.
Ndër botimet që vlejnë të konsultohen për këtë hulumtim janë: Petraq Dhana, “Arsimi dhe Kultura”; Shire Kasapi, “Karbunara”; Gjon Çuko, “Udhëtim historik”, vëllimi I; “Lushnja – Toka dhe Njerëzit”; A. Liko dhe N. Ferro, “Tre firmëtarë të Pavarësisë”; Rrahman Uruçi, “Lushnja”; Jovan Bizhyti, “Myzeqeja ime”, si dhe “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”.
Kërkimi mbetet i hapur edhe për dokumente të tjera në arkiva, gazeta dhe regjistra historikë, të cilat mund të ndihmojnë në plotësimin e portretit të tij. Këto burime, së bashku me dokumentet e arkivit, gazetat e kohës, kujtimet e bashkëkohësve dhe dëshmitë familjare, do të ndihmojnë që portreti i Taullah Sinanit të plotësohet sa më saktë. Për mua është e rëndësishme që historia e tij të mos mbështetet vetëm në kujtesën familjare apo në nderimin që i bëjmë, por edhe në dokumente që mund të kontrollohen, krahasohen dhe ruhen për brezat e ardhshëm.
Por përtej datave, dokumenteve, betejave dhe nderimeve, ajo që më bën ta ndiej këtë histori si pjesë të vetes është amaneti që ajo mbart. Taullah Sinani i përkiste një brezi që e përjetoi atdheun si një përgjegjësi dhe jo si një fjalë të bukur. Ai jetoi në kohë të trazuara, mori pjesë në përpjekjet për liri, u përball me rrezikun, burgimin dhe pasojat e zgjedhjeve të tij. Historia e tij nuk duhet zbukuruar për t’u bërë e madhe; ajo është e rëndësishme pikërisht sepse duhet njohur ashtu siç ka qenë, me dëshmitë që e mbështesin dhe me pyetjet që ende presin përgjigje.
Amaneti që dua t’u përcjell brezave të familjes sime, veçanërisht vajzës sime, është që të mos ndihen krenarë vetëm për prejardhjen dhe rrënjët tona, por edhe të njohin historinë e familjes, të respektojnë të vërtetën historike, të mos e ngatërrojnë krenarinë me mitin dhe të kuptojnë se trashëgimia e të parëve nuk përcillet vetëm përmes lidhjes së gjakut, por mbi të gjitha përmes kujtesës, vlerave dhe përgjegjësisë që mbartim. Dashuria për vendin provohet përmes ndershmërisë, qëndrimeve dhe kontributit për shoqërinë.
Taullah Sinani nuk është vetëm një emër në historinë e Karbunarës, të Lushnjës dhe mbarë Shqipërisë. Ai është pjesë e rrënjëve tona, një figurë që i përket atij brezi patriotësh që me dijen, guximin, vendosmërinë dhe veprën e tyre lanë gjurmë në historinë e vendit. Të kujtosh një njeri të tillë nuk do të thotë ta vendosësh mbi të tjerët, por t’i njohësh vendin që meriton në kujtesën tonë kombëtare dhe familjare. Rrënjët nuk na lidhin vetëm me të shkuarën; ato na kujtojnë edhe përgjegjësinë që kemi ndaj së ardhmes.
Një histori familjare dhe kombëtare, sjellë në dritë përmes kërkimit dhe dëshmive historike nga pasardhësja e tij, Enkelejda Korreshi.

