DETAJE/ 38-vjeçari shqiptar u vra gjatë përplasjes me policinë italiane, Ervis Murra u arratis, duhet të vuajë mbi 12 vite burg

Ervis Murra është shqiptari që arriti të arratisej nëpër fushat e provincës së Venecias, pas përplasjes me armë mes tre personave dhe policisë italiane në Cavarzere, ku një 38-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë dhe një tjetër person u arrestua.
Mediat italiane kanë publikuar detaje mbi identitetin dhe të kaluarën e 37-vjeçarit, i cili rezulton një emër i njohur për autoritetet e drejtësisë në Itali dhe Shqipëri.
Sipas “Corriere Della Sera”, Ervis Murra ka lindur në Shqipëri më 29 prill 1989 dhe rezulton i përfshirë në vepra të ndryshme penale, mes tyre vjedhje, grabitje me armë, zhvatje dhe përvetësim të sendeve të vjedhura.
Ai rezulton i kërkuar që prej vitit 2025, kur gjatë një kontrolli në Corso Vittorio Emanuele, në Napoli, pas një përleshjeje me efektivët e policisë, arriti të largohej. Në atë kohë kërkohej prej tre vitesh, pasi ishte dënuar në shkallën e tretë me shtatë vite burg për grabitje.
Por kjo nuk është e vetmja çështje për të cilën duhet të vuajë dënim. Në vitin 2020, Murra u arrestua në zonën e Dibrës në Shqipëri, në zbatim të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar. Ai duhej të vuante një dënim prej pesë vitesh burg, të dhënë nga Gjykata e Apelit në Perugia në shtator të vitit 2017.
Grabitjet e dhunshme në Itali
Corriere della Sera ndalet te disa prej grabitjeve për të cilat Murra është akuzuar.
Një prej ngjarjeve më të rënda ka ndodhur më 7 tetor 2014, në orën 03:00 të mëngjesit, në Perugia. Persona të armatosur hynë në një banesë ku ndodhej edhe një fëmijë 10-vjeçar. Banorët u zgjuan nga një elektrik dore që iu drejtua në fytyrë dhe më pas nga kërcënimi me armë.
Grabitësit kërkuan hapjen e kasafortës dhe arritën të merrnin para, bizhuteri dhe çelësat e një automjeti BMW dhe një Audi. Më pas u larguan në drejtim të Casertës, me ndihmën e një bashkëpunëtori.
Më 12 dhjetor të po atij viti, Murra u lokalizua në Caserta, ku ndaj tij ishte lëshuar një masë arresti me burg për një tjetër vjedhje në banesë.
Në vitin 2018, ai u përball me proces gjyqësor në Santa Maria Capua Vetere për një tentativë grabitjeje në një pikë karburanti në Villa Literno, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.
Ndërsa dy vite më parë, ishte arrestuar në Mondragone, nën dyshimet për një seri veprash penale në provincën e Casertës, që kishin në shënjestër sipërmarrës të sektorit bujqësor dhe të blegtorisë.
Arratisja pas përplasjes me policinë
Më 27 nëntor, Murra ishte njëri prej personave që ndodheshin në një kompleks banesash të braktisura në zonën Revoltante, në San Pietro di Cavarzere.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, ku pati shkëmbim zjarri, një 38-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë, ndërsa një person i tretë u arrestua. Murra arriti të largohej nëpër fushat përreth dhe u shpall në kërkim.
Sipas raportimeve të mediave italiane, në momentin e arratisjes ai kishte veshur vetëm të brendshme, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e tij.
Ndërkohë, Prokuroria e Venecias ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e përplasjes me armë dhe veprimet e efektivëve të policisë.




