E shtunë, 28 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
U arratis pas shkëmbimit të zjarrit në Itali, kush ësht shqiptari që kërkohet për të vuajtur mbi 12 vite burg
Lajme

U arratis pas shkëmbimit të zjarrit në Itali, kush ësht shqiptari që kërkohet për të vuajtur mbi 12 vite burg

🇬🇧 Read in English

Ervis Murra, 37-vjeçari shqiptar që u arratis pas shkëmbimit të zjarrit me policinë italiane në zonën e Cavarzere, në provincën e Venecias, vijon të jetë në kërkim të autoriteteve. Ngjarja e rëndë e 27 nëntorit, e cila përfundoi me një viktimë dhe një person të arrestuar, u shoqërua edhe me largimin e shqiptarit, i cili arriti të zhdukej në zonat rurale të Venetos.

Rrethanat e arratisjes e bëjnë edhe më të pazakontë ngjarjen. Në momentin kur u largua, Murra ishte i veshur vetëm me të brendshme, ndërsa policia italiane vijon operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Por përtej arratisjes së fundit, 37-vjeçari ka një histori të gjatë përplasjesh me drejtësinë, e shtrirë në disa rajone të Italisë dhe në Shqipëri. Në dosjen e tij rezultojnë vepra të ndryshme penale, përfshirë grabitje me armë, vjedhje banesash, zhvatje dhe përvetësim të sendeve me origjinë kriminale.

I lindur më 29 prill 1989, Murra duhet të vuajë më shumë se 12 vite burg në bazë të vendimeve të dhëna nga gjykatat italiane. Megjithatë, ai ka arritur t’u shmanget autoriteteve për një periudhë të gjatë, duke lëvizur mes disa qyteteve dhe rajoneve të vendit fqinj.

Nga Napoli në arrati, policia nuk arriti ta ndalonte as në vitin 2025

Një nga episodet më të fundit që lidhet me kërkimin e tij daton në qershor të vitit 2025. Murra u identifikua nga policia gjatë një kontrolli në rrugën Vittorio Emanuele, në Napoli, ku rezultonte person në kërkim prej rreth tre vitesh.

Ndaj tij ishte dhënë një dënim prej shtatë vitesh burg në shkallën e tretë të gjykimit, për veprën penale të grabitjes. Por edhe gjatë këtij konfrontimi me autoritetet, shqiptari arriti të largohej pa u vënë në pranga.

Pas këtij episodi, dyshohet se ai u zhvendos drejt veriut të Italisë, duke vijuar t’i shmangej kapjes.

Një tjetër arrestim i Murrës ishte regjistruar në vitin 2020, në zonën e Dibrës, në Shqipëri. Ai u ndalua pas ekzekutimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet italiane, të cilat kërkonin vuajtjen e një dënimi prej pesë vitesh burg.

Ky vendim ishte dhënë nga Gjykata e Apelit në Perugia në shtator të vitit 2017. Në atë çështje, Murra akuzohej për përfshirje në një grup kriminal që dyshohej se kryente grabitje me armë, zhvatje dhe përvetësim të sendeve të vjedhura.

Problemet e tij me drejtësinë nuk kufizoheshin vetëm te këto vepra. Në rajonin e Kampanias, ai ishte proceduar edhe për shkeljen e masës së arrestit shtëpiak, të cilës duhej t’i nënshtrohej nën mbikëqyrjen e një byzylyku elektronik.

Grabitja në Perugia, familja u kërcënua me armë në praninë e fëmijës 10-vjeçar

Një nga ngjarjet më të rënda në të cilat është përmendur emri i Ervis Murrës lidhet me një grabitje të dhunshme të ndodhur në Perugia, në orët e para të 7 tetorit 2014.

Sipas dosjes së çështjes, tre persona hynë në një banesë rreth orës 03:00 të mëngjesit, në një moment kur pronarët dhe fëmija i tyre 10-vjeçar ndodheshin duke fjetur.

Grabitësit i zgjuan familjarët duke u drejtuar dritën e një elektrik dore në fytyrë. Më pas nxorën një armë dhe i kërcënuan, duke i detyruar të tregonin vendndodhjen e kasafortës.

Të gjendur përballë kërcënimeve, çifti u dorëzoi autorëve para, bizhuteri dhe çelësat e dy automjeteve luksoze, një BMW dhe një Audi.

Pas përfundimit të grabitjes, autorët u larguan në drejtim të Casertës. Murra u lokalizua më 12 dhjetor të po atij viti. Në atë periudhë, ai kërkohej gjithashtu për një tjetër vjedhje banese, për të cilën masa e sigurisë ishte lëshuar që më 30 qershor.

Nga tentativat për grabitje te objektivat në sektorin bujqësor

Emri i shqiptarit është përfshirë edhe në një proces gjyqësor të zhvilluar në vitin 2018 në Santa Maria Capua Vetere. Çështja kishte të bënte me një tentativë grabitjeje në një pikë karburanti në Villa Literno, ngjarje e regjistruar në vitin 2013.

Ndërkohë, në vitin 2012, Murra ishte arrestuar në Mondragone, nën dyshimin për përfshirje në një seri aktivitetesh kriminale në provincën e Casertës.

Sipas hetimeve të asaj kohe, objektivat e këtyre veprimtarive ishin sipërmarrës që ushtronin aktivitet në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Kronologjia e episodeve të regjistruara në dosjet e tij tregon një aktivitet kriminal të shtrirë në disa zona të Italisë, nga jugu në veri, si dhe përballje të përsëritura me autoritetet ligjzbatuese.

Arratisja e fundit në Cavarzere ka rikthyer në vëmendje historikun e tij me drejtësinë dhe dënimet që duhet të vuajë. Policia italiane ka intensifikuar kërkimet për gjetjen e Ervis Murrës, i cili pas përplasjes së armatosur të 27 nëntorit arriti t’i shpëtonte sërish prangosjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.