Insajderi
Botë

Plani i Netanyahut për Iranin – shkatërrimi i rrjetit të ujit dhe energjisë

Insajderi
28 November 2026 - 11:45
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Plani i Netanyahut për Iranin – shkatërrimi i rrjetit të ujit dhe energjisë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po shqyrton mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit, i cili mund të përfshijë shkatërrimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe të infrastrukturës tjetër jetike të vendit.

Sipas mediumit izraelit Ynet, në qarqet e larta ushtarake dhe të inteligjencës izraelite po diskutohet mundësia që, në rast se nuk arrihet rrëzimi i regjimit iranian, Teherani të dobësohet përmes goditjes së infrastrukturës dhe ekonomisë së tij.

Një zyrtar i lartë izraelit i sigurisë, i cili ka qenë i përfshirë në planifikimin e dy operacioneve të mëparshme kundër Iranit, e ka cilësuar këtë ide si “çmenduri të pastër”.

Sipas tij, disa zyrtarë në ushtrinë izraelite dhe në shërbimin e inteligjencës Mossad besojnë se sulmet e deritanishme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të arritur objektivat e synuara, raportojnë mediat.

Mbështetësit e një operacioni të ri konsiderojnë se shkatërrimi i infrastrukturës jetike do ta kthente Iranin disa dekada prapa dhe do t’ia vështirësonte rindërtimin e programeve bërthamore dhe raketore.

Ndërkohë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po përgatisin një plan për një sulm të mundshëm të përbashkët, megjithëse ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për realizimin e tij.

Megjithatë, ideja e goditjes së infrastrukturës civile ka ngritur shqetësime për pasojat humanitare që mund të përjetojë popullsia iraniane, prej rreth 90 milionë banorësh. Një sulm i tillë mund të shkaktojë ndërprerje masive të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, duke e zhytur vendin në një krizë të rëndë.

Zyrtari izraelit ka paralajmëruar gjithashtu se një përshkallëzim i konfliktit mund të ketë pasoja për të gjithë rajonin. Irani ka kërcënuar se, në rast të sulmeve ndaj infrastrukturës së tij civile, do të godasë objektet e naftës, impiantet energjetike dhe infrastrukturën jetike të vendeve të Gjirit Persik.

Ndërkaq, zyra e Netanyahut i ka cilësuar si të pavërteta pretendimet për planet e tilla, duke deklaruar se vendimet e kryeministrit izraelit udhëhiqen nga interesat e sigurisë së Izraelit dhe qytetarëve të tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark