Dy punonjës të “Mjekëve pa Kufij” vriten në sulmin izraelit në Gaza
Organizata humanitare ndërkombëtare “Mjekët pa Kufij” (MSF) ka reaguar ashpër pas vrasjes së dy punonjësve të saj nga një sulm izraelit pranë një klinike mjekësore në Gaza, të premten në mbrëmje.
Në një deklaratë të publikuar gjatë natës, MSF ka thënë se objektet e saj ishin të shënuara qartë me logon e organizatës dhe se vendndodhja e tyre i ishte komunikuar ushtrisë izraelite.
“Objektet tona ishin të shënuara qartë me logot e MSF-së dhe vendndodhja e tyre i ishte komunikuar ushtrisë izraelite, e cila ishte në dijeni të saj. Kërkojmë që të ketë llogaridhënie”, thuhet në reagimin e organizatës.
Ndërkaq, ushtria izraelite e ka konfirmuar sulmin, por ka pretenduar se dy punonjësit e vrarë ishin “terroristë që paraqiteshin si punonjës humanitarë”.
MSF nuk ka komentuar menjëherë pretendimet e Izraelit lidhur me dy punonjësit, të cilët kishin punuar si roje sigurie.
Sipas organizatës, me vrasjen e tyre ka shkuar në 17 numri i punonjësve të MSF-së të vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës.
Izraeli ka kryer vazhdimisht sulme ndaj spitaleve në Gaza që nga nisja e luftës, përfshirë edhe spitalin kryesor Nasser në fillim të këtij muaji. Ushtria izraelite ka pretenduar se luftëtarët e Hamasit kanë vepruar brenda këtyre objekteve dhe se nën to janë zbuluar pjesë të një rrjeti tunelesh të Hamasit.
MSF kishte pezulluar disa nga aktivitetet e saj në spitalet e Gazës në fillim të këtij viti, për shkak të pranisë së personave të armatosur.















