Berisha uron 28 Nëntorin, bën thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare

28 Nëntor 2026 | 12:02

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Berisha kujtoi aktin historik të ngritjes së flamurit në Krujë nga Skënderbeu në vitin 1443 dhe shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe etërit e kombit, duke nderuar sakrificën e të rënëve për liri.

Ai gjithashtu në reagimin e tij ka rikujtuar se sot do të mbahet protesta kombëtare. Kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në shesh në kryeqytet, duke e cilësuar protestën e sotme si një akt në nderim të Flamurit Kombëtar dhe përpjekje për largimin e qeverisë aktuale.

Reagimi i plotë:

Gëzuar 28 Nëntorin, DITËLINDJEN E SHQIPËRISË SË PAVARUR. Sot protestë kombëtare! Të gjithë në shesh! Miq, sot mbarë kombi, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, feston 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar, ditën e shpalljes, më 28 Nëntor të vitit 1912, nga Ismail Bej Vlora, të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ndaj sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, 114-vjetorin e saj, ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babanë e Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorën, dhe Isa Boletinin e etërit e tjerë të saj. Nderojmë qindra mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor, për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur.

Prandaj, të dashur miq, ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë: Gëzuar këtë ditë! Përjetësi, zhvillim dhe begati!

Më 28 Nëntor të vitit 1443, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar ngriti Flamurin e Lirisë në Krujë dhe për më shumë se gjysmë shekulli e shndërroi Krujën dhe Arbërinë në kështjellën e pamposhtur të lirisë. Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun, dhe luftërat e tij legjendare që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi.

Po këtë datë, 81 vjet më parë, nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha, i cili, pasi e shndërroi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në një luftë vëllavrasëse, vendosi në Shqipëri, si Hitleri shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore, diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.

Por ne e festojmë këtë ditë të madhe nën diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, Pashiqit të Tiranës, i cili, në një hark kohor 14-vjeçar, ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, zëvendësoi zgjedhjet e lira me farsat zgjedhore dhe, me politikat e regjimit kleptokratik, po shkreton dhe zbraz më shumë se çdo pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët.

Vetëm drejt zonës Shengen, në 10 vite u larguan 1,1 milion shqiptarë dhe, për këtë, sot ne jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë. Edi Rama është një armik i egër i qenies shqiptare, që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës.

Sot mbarë kombi mblidhet në Tiranë në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe narkodiktaturës së tij. Le të na frymëzojnë festat e kësaj dite për ta çliruar sa më shpejt Shqipërinë nga regjimi i Pashiqit të Tiranës.

Së fundmi, ju të dashur miq, ju urojmë ju dhe mbarë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë! Nderim për jetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të Pavarësisë!

Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë! Nderim të gjithë atyre që nderojnë sot me protestën e tyre Flamurin e Kombit! Gëzuar!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Elbasani feston 114-vjetorin e Pavarësisë, ceremonisë i bashkohet edhe deputeti nga Kosova, Burim Ramadani

Edhe në qytetin e Elbasanit u zhvilluan ceremonitë përkujtimore me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Përfaqësues të institucioneve vendore, të Bashkisë...
11:50 | 28/11/2026

Osmani uron 28 Nëntorin: Katër data historike, një krenari kombëtare

Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj me rastin e 28 Nëntorit, duke rikujtuar katër ngjarje të mëdha...
11:31 | 28/11/2026

Mesha për flamurin, Kryepeshkopi Joan: Detyrë e gjithsecilit që këtë vend të bekuar ta ndriçojmë akoma më shumë

Kryepeshkopi Joan këtë të shtunë ka drejtuar Dhoksologjinë e Flamurit në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, në nderim të Ditës së Pavarësisë. Gjatë fjalës...
11:17 | 28/11/2026