Mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në protestën kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, të zhvilluar më 28 Nëntor.
Gjatë një momenti në sheshon Skënderbej, një automjet zjarrfikës ka hyrë në shesh, duke shkaktuar irritimin e protestuesve.
Qytetarët kanë reaguar menjëherë, duke e kundërshtuar praninë e tij me thirrjet: “Ik, ik, largohuni patronazhistë!”.
Ndërkohë, në shesh është shpalosur edhe një banderolë gjigante me mesazhin patriotik: “Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne!”.
Në protestë ka qytetarë nga Tirana dhe qytete të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.
Një prej protestuesve, i cili jeton në Athinë, tha se kishte udhëtuar drejt Tiranës me shpresën se manifestimi do të shënojë një pikë kthese për Shqipërinë. Ai tregoi se shqiptarët në Greqi kanë zhvilluar protesta çdo javë përpara ambasadës shqiptare.
“Shpresojmë që dita sot të jetë dita e çlirimit, të shndërrojmë Shqipërinë në atë që meritojmë. Shpresojmë t’i sjellim Shqipërisë atë që meriton. Jemi sot këtu sepse ëndrra e viteve ’91 nuk është realizuar. Çfarë pretendojmë sot, ka njerëz që mendojnë se ishim më mirë në diktaturë”, u shpreh ai.
Një tjetër protestues kritikoi situatën politike në vend, duke ngritur shqetësimin për largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.
“Një narkoshtet, banda që duhet larguar. Të rinjtë sot rriten me idenë që të largohen nga vendi”, deklaroi ai. a.b





