Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka dërguar një mesazh urimi popullit shqiptar për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në mesazh ai nënvizon rëndësinë e partneritetit të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet ndërmjet qytetarëve, duke theksuar se Uashingtoni mirëpret zgjerimin e bashkëpunimit me Tiranën në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Rubio i kushton një pjesë të rëndësishme mesazhit luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe karteleve të trafikut të drogës, duke vlerësuar përpjekjet e përbashkëta për t’u kundërvënë këtyre kërcënimeve. Ai thekson se partneriteti strategjik midis dy vendeve kontribuon në rritjen e prosperitetit dhe sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve, duke përfshirë bashkëpunimin për të përballuar grupet kriminale transnacionale, kartelet e drogës dhe ata që bashkëpunojnë me ta.
Siguria kibernetike është një tjetër fokus i mesazhit; Rubio thekson rëndësinë e bashkëpunimit për përballimin e kërcënimeve kibernetike dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike të Shqipërisë. Ai vlerëson përpjekjet e përbashkëta për t’iu përgjigjur këtyre sfidave ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj në këtë fushë.
Në përfundim, kreu i diplomacisë amerikane shpreh gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të thelluar marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Në emër të Shteteve të Bashkuara, Rubio i përcjell urimet e tij më të ngrohta popullit shqiptar ndërsa feston Ditën e Pavarësisë dhe shprehet se pret me padurim thellimin e të gjitha aspekteve të marrëdhënies së dobishme reciprokisht. (Burimi: Top Channel)
