Me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, monumenti simbolik “NEWBORN” në Prishtinë ka marrë një pamje të re, duke u veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar.
Në këtë ditë të veçantë për shqiptarët, pjesa “NEW” e monumentit është ngjyrosur me të kuqe, ndërsa pjesa “BORN” me të zezë, duke krijuar një kombinim që pasqyron ngjyrat e flamurit kuqezi.
Një tjetër element që i është shtuar monumentit është logoja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke i dhënë këtij ndryshimi edhe një simbolikë përkujtimore.
Ndërhyrja në monument është realizuar në kuadër të iniciativës “Liria ka Emër”, si pjesë e aktiviteteve të organizuara për festimet e 28 Nëntorit.
Monumenti “NEWBORN”, një prej simboleve më të njohura të Prishtinës, i është bashkuar kështu atmosferës festive të Ditës së Flamurit, duke përcjellë mesazhe të identitetit kombëtar, historisë dhe kujtesës për luftën çlirimtare të Kosovës.
