Rreth 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë dislokuar pranë institucioneve kryesore, ndërsa efektivë të policisë rrugore, forcave Shqiponja dhe forcave të rendit janë vendosur në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.
Policia ka vendosur në gatishmëri edhe tetë autobotë me ujë, dronë dhe kamera me rezolucion të lartë për monitorimin dhe identifikimin e protestuesve.
Efektivët janë pajisur gjithashtu me spraj piperi dhe gaz lotsjellës, ndërsa përdorimi i plumbave të gomës parashikohet vetëm në rast të përshkallëzimit të situatës.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen është vendosja e flamurit kuqezi në parzmoret e efektivëve, patrullat dhe automjetet e policisë.
Ky gjest synon të përcjellë mesazhin se 28 Nëntori është një ditë feste dhe se protesta duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore.