Bota

Përplasje diplomatike Itali-Ukrainë pas sulmit në Libi, Meloni i kërkon shpjegime Zelenskyt

Një operacion ushtarak ukrainas në portin e Bengazit në Libi ka shkaktuar tensione diplomatike mes Italisë dhe Ukrainës. Roma ka shprehur shqetësimin se sulmi ndaj dy anijeve ruse është kryer pa koordinim me partnerët evropianë dhe mund të cenojë sigurinë e rajonit të Mesdheut.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës kërkoi sqarime për operacionin ushtarak.

Sipas një deklarate të qeverisë italiane, Meloni theksoi se ndërhyrja cenon sovranitetin e Libisë dhe rrezikon të shkaktojë përshkallëzimin e konfliktit në Mesdhe.

Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën në përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, por nënvizoi se kjo nuk duhet të përfshijë nisma që mund të vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit.

Nga ana e tij, Zelensky pranoi se operacioni ishte zhvilluar pa koordinim paraprak me partnerët evropianë. Presidenti ukrainas u zotua për komunikim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me ta, si dhe për shkëmbimin e informacionit të nevojshëm.

Pas bisedës, Zelensky konfirmoi qëndrimin e tij edhe përmes një postimi në platformën X, ku vuri në dukje rëndësinë e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, mirëpriti sqarimet e presidentit ukrainas, duke deklaruar se ato ndihmojnë në qartësimin e situatës dhe hedhin poshtë akuzat ndaj qeverisë italiane për mënyrën se si ka trajtuar çështjen.

Moska i kërkon Italisë të rishikojë qëndrimin ndaj Kievit

Pas sulmit në Bengazi ka reaguar edhe Ambasada ruse në Itali, e cila i ka kërkuar Romës të jetë e kujdesshme ndaj veprimeve ushtarake të Ukrainës.

Në deklaratën e saj, diplomacia ruse pretendon se dronët detarë ukrainas të përdorur në sulmin ndaj anijeve ruse në brigjet e Libisë janë operuar nga ushtarakë ukrainas të vendosur në zonën e Misratës, ku ndodhet edhe një detashment ushtarak italian.

Sipas Moskës, përdorimi i territoreve të vendeve pranë Italisë për operacione ushtarake kundër Rusisë duhet ta shtyjë Romën të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Kievit.

“Rusia e ka paralajmëruar vazhdimisht bashkësinë ndërkombëtare për rreziqet jashtëzakonisht serioze që paraqet toleranca ndaj regjimit të Kievit”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Diplomacia ruse shton se mbetet e paqartë se si dronët ukrainas kanë mbërritur në ujërat territoriale të Libisë, ndërsa e cilëson praninë e tyre në rajon si kërcënim për sigurinë.