Policia italiane është vënë në kërkim të 37-vjeçarit shqiptar Ervis Murra, i cili arriti të arratisej gjatë një operacioni policor që përfundoi me një viktimë dhe një të arrestuar pasditen e djeshme (27 nëntor) në San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias.

Efektivët kishin shkuar në një banesë pranë lumit Adige për të arrestuar disa persona të shpallur në kërkim. Gjatë ndërhyrjes, personat që ndodheshin në banesë hapën zjarr ndaj policisë dhe u përpoqën të largoheshin. Efektivët iu kundërpërgjigjën me armë, duke plagosur rëndë një shqiptar, i cili më pas humbi jetën.

Ndërsa një person u arrestua, Murra arriti t’i shpëtonte policisë. Gazeta italiane Corriere del Veneto shkruan se 37-vjeçari u arratis i veshur vetëm me të brendshme në fushat e Venetos, pavarësisht temperaturave të ulëta.

Në zonë janë angazhuar forca të shumta policore dhe një helikopter. Identiteti i shqiptarit që humbi jetën ende nuk është bërë publik.

Kush është Ervis Murra?

I lindur më 29 prill 1989 në Shqipëri, Ervis Murra ka prej më shumë se një dekade probleme me drejtësinë italiane. Emri i tij figuron në disa dosje penale në Napoli, Kazerta dhe Peruxhia, për vjedhje, grabitje me armë, zhvatje dhe përvetësim të sendeve të vjedhura.

Në shtator të vitit 2017, Gjykata e Apelit në Peruxhia e dënoi me pesë vite burg. Në atë dosje, Murra akuzohej së bashku me një tjetër shqiptar për pjesëmarrje në një grup kriminal që kryente grabitje me armë, zhvatje dhe përvetësim të sendeve të vjedhura.

Për këtë dënim, ai u arrestua në vitin 2020 në Dibër, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane.

Ndaj tij rëndon edhe një dënim i formës së prerë me shtatë vite burg për grabitje, për të cilin ishte shpallur në kërkim në vitin 2022.

Në qershor të vitit 2025, policia italiane arriti ta identifikonte gjatë një kontrolli në rrugën Vittorio Emanuele në Napoli, por Murra u përlesh me efektivët dhe u arratis. Dyshohet se pas kësaj ngjarjeje ai u zhvendos drejt veriut të Italisë.

Media italiane shkruan se në të kaluarën shqiptari kishte arritur të arratisej edhe nga arresti shtëpiak, megjithëse mbante byzylyk elektronik.

Grabitjet për të cilat akuzohet shqiptari

Një prej grabitjeve ku përmendet emri i Murrës është ajo e 7 tetorit 2014 në Peruxhia. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, grabitësit hynë në banesën e një çifti, që ndodhej në shtëpi së bashku me fëmijën 10-vjeçar.

Ata zgjuan çiftin dhe e kërcënuan me armë për të hapur kasafortën.

“Bastard italian, hap kasafortën”, ishte kërcënimi ndaj pronarit të shtëpisë, shkruan gazeta italiane.

Çifti u dorëzoi grabitësve para, bizhuteri dhe çelësat e dy makinave, një BMW dhe një Audi.

Dy muaj më vonë, më 12 dhjetor, Murra u gjet në Kazerta, ku kërkohej edhe për një tjetër vjedhje banese.

Në vitin 2016, ai u arrestua në Mondragone për një seri veprash penale ndaj pronarëve të fermave bujqësore dhe blegtorale në provincën e Kazertës.

Në vitin 2018, Murra doli para gjykatës në Santa Maria Capua Vetere për një tentativë grabitjeje të një pike karburanti në Villa Literno, në vitin 2013.

Pas arratisjes së djeshme, policia italiane vijon kërkimet për kapjen e 37-vjeçarit, ndërsa po hetohen edhe rrethanat e vrasjes së shqiptarit tjetër gjatë operacionit.