Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar më tej, me zhvillime të reja ushtarake në Arabinë Saudite dhe Jemen. Mbrojtja ajrore saudite ka interceptuar një raketë kruiz të lëshuar nga rebelët Houthi drejt kryeqytetit Riad, bëri të ditur zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite. Ky incident vjen pas rrëzimit të një droni një ditë më parë dhe interceptimit të dy raketave balistike të enjten, të cilat gjithashtu kishin si objektiv kryeqytetin saudit. Ndërkohë, luftimet në terren në Jemen vijojnë me intensitet. Forcat qeveritare jemenas njoftuan se kanë zmbrapsur një sulm të rebelëve Houthi në jug të qytetit Taiz, teksa përplasjet vazhdojnë edhe në disa provinca. Nga ana tjetër, rebelët Houthi raportuan bombardime saudite në kryeqytetin Sana, ku sipas mediave lokale janë plagosur 13 persona dhe janë dëmtuar tetë banesa e tre dyqane.