Një shtetas shqiptar, Elvis Mula, 38 vjeç, u dënua me 14 vite e tre muaj burg në Britaninë e Madhe pas shpalljes fajtor për përfshirje në një operacion trafikimi ndërkombëtar të drogës. Ai akuzohet se drejtonte një grup kriminal që organizoi importimin e 374 kilogramëve kokainë, me vlerë të përllogaritur në 29.9 milionë paund në tregun e paligjshëm.
Droga ishte hedhur në det nga një kontenier transporti në ngushticën e Doverit në orët e para të 10 nëntorit 2024. Pakot ishin të mbështjella me materiale rezistente ndaj ujit dhe të pajisura me gjurmues për t’u lokalizuar nga personat përgjegjës për marrjen. Hetimet zbuluan se Mula ndiqte lëvizjet ndërkombëtare të ngarkesës dhe koordinoi operacionin e rikuperimit.
Për marrjen nga deti ishin angazhuar dy drejtues të varkës së peshkimit, Leonard Steadman, 66 vjeç, dhe Wayne Bath, 47 vjeç, ndërsa Cameron Weedon, 27 vjeç, ishte i angazhuar si specialist i rikuperimit. Sipas hetimeve, tre të përfshirët kryen provat paraprake me varkën “Duke IV”, duke kaluar deri në 13 orë në det gjatë disa ditëve përgatitore. Ata u nisën nga porti Queenborough në ishullin Sheppey, Kent.
Autoritetet shpërfaqën gjithashtu detaje mbi mënyrën e jetesës së Mulas; NCA-ja tha se ai përdorte automjete të shtrenjta, përfshirë një Lamborghini blu, një Bentley dhe një Audi Q7, dhe publikoi pamje ku duket duke përqafuar bashkëpunëtorët pranë Bentley-t të tij para nisjes së operacionit.
Operacioni u neutralizua nga oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në bashkëpunim me forcat kufitare në bord të anijes “HMC Vigilant”, që organizuan pritën pranë brigjeve të Kentit. Të katër personat u arrestuan në nëntor 2024. Vendimi për dënimin u dha më 27 nëntor 2026 nga Gjykata e Maidstone: Elvis Mula dhe Wayne Bath morën nga 14 vite e tre muaj burg, Leonard Steadman 13 vite e shtatë muaj, ndërsa Cameron Weedon u dënua me katër vite burg pasi pranoi nxitje ose lehtësim të veprave penale. Hetuesi i lartë i NCA-së, Jules Harriman, tha se sekuestrimi përfaqëson një humbje të konsiderueshme financiare për grupin kriminal dhe se droga nuk do të përfundonte në tregun e paligjshëm britanik.
