Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik në prag të festave një projektligj të kontestuar, që sipas kritikëve të draftit krijon hapësira për një mekanizëm korruptiv në sektorin e furnizimit me barna dhe pajisje të spitaleve. Projektligji i ngjashëm me atë të krijimit të KAYO-s në fushën e mbrojtjes dhe që është nën hetim nga SPAK, krijon një shoqëri aksionare shtetërore, të quajtur MedAl. Në nenin 6 të draftit thuhet se kompania shtetërore krijon shoqëri të tjera, ose merr pjesë në kapitalin e shoqërive të tjera publike ose private, vendase ose të huaja, objekti i të cilave përfshin prodhimin dhe tregtimin e barnave, pajisjeve mjekësore, importon, eksporton, ruan apo shpërndan këto produkte, zhvillon dhe transferon teknologji, sisteme dhe pajisje për sektorin shëndetësore, apo edhe veprimtari të tjera prodhuese.