Ekipi i Syri TV, gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardjan Muka, janë goditur me ujë me presion nga autoboti i policisë, teksa po raportonin nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Po ashtu është qëlluar me plumba gome fotoreporteri i njohur, Feliks Bilani.
Goditja ka qenë aq e fortë sa gazetari Bushkolaj ka përfunduar në tokë, në momentin që po pasqyronte drejtpërdrejt zhvillimet nga protesta.
Rastet e ndërhyrjes ndaj gazetarëve gjatë protestave janë raportuar edhe më parë, ku përfaqësues të medias janë përballur me goditje dhe pengesa gjatë ushtrimit të detyrës.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë publike të dhënat paraprake për personat e lënduar gjatë protestës, deri në orën 14:00.
Sipas njoftimit, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur katër persona të lënduar: një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe pesë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po marrin trajtim në urgjencë.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje tre protestues të lënduar, gjendja e të cilëve raportohet e mirë.
Në QSUT nuk është raportuar deri në këtë orë asnjë person i lënduar.a.b




