Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar një bilanc paraprak të personave të lënduar gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë.

Sipas njoftimit të ministrisë, deri në orën 13:45, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur persona të lënduar, mes tyre një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe protestues.


Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në spital janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, janë të vetëdijshëm dhe po marrin trajtim në urgjencë.

Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje edhe tre protestues të lënduar, gjendja e të cilëve raportohet e mirë.

Sipas të njëjtit njoftim, deri në këtë orë nuk është raportuar asnjë person i lënduar në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).

Bilanci vjen në një kohë kur protesta e thirrur në Tiranë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, me hedhje gurësh, fishekzjarrësh dhe molotovësh, si dhe përdorimin e autobotëve me ujë nga policia. /euronews.al/