
Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar me forcë goditjen me autobotin me ujë ndaj ndaj ekipit të Syri Tv.
Në reagimin zyrtar, AGSH thekson se sulmi ndaj gazetarit Elkier Bushkolaj dhe operatorit Ardian Muka gjatë raportimit të protestës është një tjetër cenim i sigurisë së gazetarëve në punën e tyre.
AGH i kërkon Policisë së Shtetit dhe AMP-së të hetojnë pa humbur kohë incidentin dhe të marrin masa.
Reagimi i AGSH-së
“AGSH dënon goditjen me ujë me presion të ekipit të SYRI TV nga Policia e Shtetit
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë goditjen me ujë me presion nga Policia e Shtetit të gazetarit të SYRI TV, Elkier Bushkolaj, dhe operatorit Ardian Muka, gjatë raportimit të protestës së sotme në Tiranë.
Ky incident përbën një tjetër rast shqetësues të cenimit të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
AGSH rikujton se gazetarët dhe operatorët që mbulojnë protestat nuk janë palë në to, por ushtrojnë një funksion thelbësor në interes të publikut. Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë e tyre dhe jo të rrezikojë integritetin e tyre fizik përmes përdorimit të forcës.
AGSH i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë menjëherë incidentin, të identifikojnë përgjegjësit dhe të marrin masat përkatëse.
Përsëritja e incidenteve ndaj punonjësve të medias gjatë protestave është e papranueshme dhe kërkon llogaridhënie institucionale.
AGSH shpreh solidaritetin e plotë me gazetarin Elkier Bushkolaj dhe operatorin Ardian Muka, si dhe me të gjithë punonjësit e medias që raportojnë nga terreni në kushte të vështira.”