Ka një entuziazëm disi të pakuptimtë që përshkon disa nga aktivistët kryesorë rreth protestës sa herë njoftojnë protestën e radhës kombëtare dhe arrijnë të mobilizojnë një numër njerëzish më të madh se sa ata që marshojnë në mbrëmje në rrugët e Tiranës. Kjo u pa edhe në ditët që i paraprinë protestës së 28 nëntorit, kur aktivistë dhe organizatorë paralajmëruan se do ta kalojnë natën në sheshin Skënderbej, për të treguar forcën e qëndresës së tyre, deri në dorëheqjen e qeverisë. Kur numrat nuk janë premtues, fajin e ka apatia.
Duket se prej kohësh shumica e tyre janë të bindur se suksesi i protestës varet së pari nga forca fizike e pjesmarrësve, çka ndoshta shpjegon pse i kishin aq të rëndësishme marshimet e përnatshme gjatë muajve të Revolucionit Flamingo, të cilat jo rrallë promovoheshin si arritje politike në vetvete, pavarësisht nëse lëvizja kishte arritur ndonjë ndikim politik.
Tani, sikur politika të funksiononte në këtë mënyrë, Adriatik Lapajn sot do ta kishim kryeministër. Ishte ai i cili e nisi këtë trendin që ngatërron sprovat fizike me rezistencën politike, kur vendosi të qëndronte me javë të tëra jashtë Kryeministrisë. Megjithatë, sa më gjatë qëndronte aty, aq më e vështirë ishte të shihje se çfarë po arrinte politikisht, pasi një gjest që synonte simpati pulike, përfundoi në ato skenat qesharake ku një herë në javë tërhiqte zvarrë karrigen për t’i liruar vendin protestës së Berishës dhe versionit të tij të opozitës. Njerëzit jo vetëm nuk u shtuan, por nisi të humbte dhe aktivistët e partisë së tij.
Vetë Berisha u përball me të njëjtin problem në tubimet e tij të dhunshme. Sapo publiku u familjarizua me koreografinë e përjavshme të demokratëve, as molotovët e as fishekzjarrët nuk arritën të ndiznin ndonjë entuziazëm politik në shoqëri. Është absurde të presësh këtë nga një përballje politike që e ka të përllogaritur kulmin e vet me kujdesin e një skenaristi nikoqir, por edhe më absurde është të presësh që përsëritja e së njëjtës skenë të prodhojë tek publiku emocione
Vështirësia me këtë lloj mobilizimi qëndron tek fakti se pjesmarrësit janë të bindur se vetëflijimi i tyre janë arsyet përse njerëzit duhet t’i bashkohen rezistencës. Të shpenzosh disa orë duke protestuar çdo mbrëmje kërkon vërtet një angazhim të konsiderushëm, veçanërisht për njerëz që kanë edhe detyrime të tjera të përditshme, por fakti që kjo kërkon sakrificën e dissave, nuk e bën domosdoshmërisht bindëse për të tjerët.
Të gjitha shqetësimet në lidhje me qasjen e qeverisë ndaj protestuesve, nga dhuna policore tek arrestimet dhe gjobat, janë sigurisht legjitime, por ato nuk janë ato arsyeja përse pas një tentativave revoluconare në fundjavë, proestuesit kthehen të hënën për ta kërkuar (se kujt kush e di?) revolucionin. Ndoshta organizatorët dhe aktivistët do të bënin mirë ta kthenin qoftë edhe për pak çaste shikimin nga vetja për të kuptuar se përse njerëz që ishin aq të motivuar të protestonin në qershor, u larguan brenda pak ditësh, për t’ia lënë hapësirën disa personazheve që të lodhin me dëshirën e tyre gati të sëmurë për protagonizëm. Ata që ikën nuk janë aspak apatikët e zakonshëm sepse e treguan qartësisht vullnetin e tyre për të protestuar. Çfarë ndodhi në ditët dhe javët në vazhdim, që jua pamundësoi të ktheheshin në shesh?
Ndjenja thuajse religjioze e vetësigurisë me të cilën disa aktivistë flasin për drejtësinë dhe peshën e kauzës së tyre lejon shumë pak hapësirë për pyetje të tilla. Për rrjedhojë, tkurrja e numrave i atribuohet gjithnjë frikës, apatisë kolektive apo makinerisë repressive të qeverisë. Ka gjithmonë një shpjegim që e sheh bjerrjen e protestës vetëm jashtë gjirit të saj.
Madje, të krijohet përshtypja se për disa prej aktivistëve, largimi i njerëzve nga protesta shërben si një konfirmim i mëtejshëm i epërsisë së tyre morale. Sa më pak njerëz mbeten në shesh, aq më të jashtëzakonshëm fillojnë ta konsiderojnë veten ata që kanë mbetur. Për sa kohë që çdo njeri që largohet konsiderohet një qytetar më pak i ndërgjegjshëm, organizatorët mund të vazhdojnë të humbasin mbështetje popullore pa humbur asnjë grimcë të vetëkënaqësisë së tyre.
Pas kaq muajsh, pritej që organizatorët të ishin pak më tepër kureshtarë për njerëzit që pretendojnë se përfaqësojnë. Qytetarët që janë distancuar nga protesta i kanë dëgjuar sloganet dhe ndoshta kanë kuptuar edhe atë që protesta iu ofronte.
Me sa duket, organizatorët kanë arritur në përfundimin se populli që duan të çlirojnë nuk është në lartësinë e revolucionit. Me këtë bindje mund të vazhdojnë të protestojnë edhe për gjashtë muaj të tjerë, duke pritur që ndërkohë të ndryshojë populli./TemA











Komente
Komento