Mbi një milion persona morën shtetësinë zvicerane që nga viti 2000, më shumë se gjatë gjithë shekullit të kaluar

Zvicra ka natyralizuar gjithsej 1.037.775 persona nga viti 2000 deri në vitin 2025, duke tejkaluar numrin e personave që fituan shtetësinë zvicerane gjatë gjithë shekullit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma zvicerane Facts4Future, e bazuar në statistikat e Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), vetëm gjatë vitit 2025 shtetësinë zvicerane e fituan 41.838 persona përmes procesit të natyralizimit.
Ndërkohë, nga viti 2000 deri në vitin 2025, numri vjetor i natyralizimeve ka ndryshuar nga 30.075, sa ishte në vitin 2001, deri në 47.607, që përbën shifrën më të lartë të regjistruar në vitin 2006, transmeton Telegrafi.
Të dhënat tregojnë se grupet më të mëdha të personave të natyralizuar gjatë vitit 2025, sipas shtetësisë që kishin para marrjes së pasaportës zvicerane, ishin shtetasit gjermanë me 21 për qind, italianët me 10 për qind dhe francezët me 9 për qind.
Statistikat përfshijnë edhe personat e natyralizuar që jetojnë jashtë Zvicrës, ndërsa nuk përfshijnë fitimin e shtetësisë përmes birësimit apo konstatimit të shtetësisë.
Në Zvicër ekzistojnë tri mënyra për fitimin e shtetësisë përmes natyralizimit: natyralizimi i zakonshëm, ai i lehtësuar dhe riintegrimi në shtetësinë zvicerane.
Që nga viti 2018, me hyrjen në fuqi të ligjit të rishikuar për shtetësinë, për natyralizimin e zakonshëm kërkohet, ndër të tjera, leja e qëndrimit C dhe dëshmia e njohjes së gjuhës.
Gjithashtu, si rregull, aplikuesit nuk duhet të kenë përfituar ndihmë sociale gjatë tri viteve para aplikimit dhe gjatë procedurës, përveç rasteve kur ajo është shlyer plotësisht, transmeton Telegrafi.
Ndër ndryshimet e bëra në legjislacion ishte edhe shkurtimi i periudhës së kërkuar të qëndrimit në nivel federal nga 12 në 10 vjet.
Shifrat e publikuara dëshmojnë për përmasat e procesit të natyralizimit në Zvicër gjatë 25 viteve të fundit, periudhë në të cilën mbi një milion persona kanë fituar shtetësinë e këtij vendi./Telegrafi/



































