Piloti italian i Aprilia, Marco Bezzecchi, fitoi sot garën sprint të zhvilluar në pistën e Valencia, gara e fundit sprint e këtij sezoni. Një garë e dominuar nga xhiro e parë deri tek e fundit nga Bezzecchi, që konsolidon vendin e dytë në renditjen e përgjithshme.
Italiani e mbylli garën me gati 3 sekonda epërsi ndaj shokut të tij të skuadrës, spanjollit Jorge Martin, që u klasifikua në vendin e dytë. Në podium (vendi 3) u ngjit edhe italiani tjetër Enea Bastianini, me motorin KTM Tech 3.
Vetëm i 13-ti spanjolli Marc Marquez, që një javë më parë u shpall kampion bote në MotoGP. Një incident që pati me motorin e tij, që mori flakë para se të niste gara, bëri që gara të shtyhej me 30 minuta dhe ai të penalizohej me dy “long lap” (xhiro të gjata).
Kështu, nga vendi i tretë që ishte në start piloti i Ducati zbriti në vendin e 13-të, duke mos dueluar dot për fitoren. Gara e së dielës do të jetë e fundit në karrierë për Marquez, që dje deklaroi tërheqjen e tij nga MotoGP, para publikut të tij.








