Një efektiv policie ka mbetur i lënduar në sheshin ‘Skënderbej’.
Ai është transportuar me ambulancë për të ndihmën e nevojshme mjekësore.
Protesta në 114-vjetorin e Pavarësisë, një ditë e shënuar për popullin shqiptar, u përshkallëzua në akte dhune. Me flamuj nëpër duar, por nga ana tjetër me maska e shkopinj druri, një grup protestuesish të dhunshëm nisën sulmet me gurë ndaj efektivëve e godinës qeveritare sapo mbërritën në bulevard.
Protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarrë drejt uniformave blu, ndërsa sulmuan edhe disa institucione të tjera, Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Mjedisit, si edhe godinën e Teatrit të Kukullave. Policia është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Pas gati 3 orësh qëndrim në Bulevard, tashmë protestuesit janë zhvendosur sërish në sheshin “Skëndërbej”. Deri më tani raportohet për 19 të lënduar, 6 policë, 4 përfaqësues mediash (1 e huaj) dhe 8 protestues.
Tubimi nisi në 10:00 sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën me flamuj kuqezi në duar. Pas dy orësh qëndrim në shesh, protestuesit u zhvendosën te Kryeministria, ku nisën edhe aktet e dhunës, ndonëse policia u përcolli mesazhe feste, me makina e skafandra të veshura me motive kuqezi.
Në shesh u shfaqën edhe protestues me maska e shkopinj, mes tyre të mitur. Në tubim u shpalos edhe një banderolë me mbishkrimin “Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne. Rama në burg, Berisha në burg”.
PD ka deklaruar se e mbështeste protestën, ndërsa kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.
LEXO EDHE: Incident në zonën e Transballkanikes në Vlorë, dhunohet efektivi i Policisë Rrugore