Vendimi HISTORIK! 28 Nëntori shpallet zyrtarisht festë zyrtare në New York
🇬🇧 Read in EnglishKëshilli Bashkiak i New York-ut ka miratuar një rezolutë përmes së cilës 28 Nëntori njihet zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në këtë qytet amerikan. Vendimi parashikon që kjo datë të përkujtohet çdo vit, duke i dhënë një vlerësim të veçantë historisë shqiptare dhe komunitetit të madh të bashkatdhetarëve që jetojnë në New York.
Rezoluta mban titullin “Përcaktimi i datës 28 nëntor të çdo viti si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e New York-ut” (Designating November 28 annually as Albanian Independence Day in the City of New York) dhe është miratuar më 19 nëntor 2026 nga Këshilli Bashkiak.
Nisma është paraqitur nga anëtarja e Këshillit Bashkiak, Amanda C. Farías, ndërsa në mbështetje të saj janë rreshtuar edhe pesë anëtarë të tjerë: Shirley Aldebol, Farah N. Louis, Selvena N. Brooks-Powers, Frank Morano dhe David M. Carr.
Në përmbajtjen e dokumentit zyrtar rikujtohet momenti historik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu kontributit të komunitetit shqiptaro-amerikan në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të qytetit të New York-ut.
Sipas të dhënave të përfshira në rezolutë, të cilat i referohen Albanian American Society Foundation, mbi 100 mijë banorë me origjinë shqiptare jetojnë në pesë njësitë administrative të New York-ut. Përqendrimi më i madh i komunitetit shqiptar evidentohet në Bronx dhe Staten Island.
Dokumenti vlerëson gjithashtu marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar miqësinë mes dy vendeve dhe rolin që breza të tërë shqiptarësh kanë luajtur në shoqërinë amerikane.
Përmes këtij vendimi, 28 Nëntori merr një njohje të posaçme institucionale në një prej qyteteve më të rëndësishme të SHBA-së. Përtej simbolikës së datës, rezoluta përfaqëson edhe një vlerësim për diasporën shqiptare, e cila ndër vite ka ruajtur identitetin kombëtar dhe ka dhënë kontribut në jetën publike të New York-ut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



