Ndeshja Milan–Parma, e programuar më 6 dhjetor, do të jetë rasti për të nderuar në San Siro Carlo Ancelottin, me rastin e përfshirjes së tij në Hall of Fame të klubit kuqezi.

Ancelotti u përzgjodh prillin e kaluar nga tifozët e Milanit si një prej tre mesfushorëve më të mirë në historinë e klubit, së bashku me Kaká dhe Ruud Gullit. Ai ka veshur fanellën kuqezi për pesë sezone si futbollist dhe më pas ka drejtuar Milanin për tetë vite si trajner. Në total, trajneri aktual i kombëtares së Brazilit ka fituar 15 trofe me kuqezinjtë: shtatë si lojtar dhe tetë si trajner.

Ceremonia e nderimit do të zhvillohet të dielën, pikërisht në ditën kur Milani do të përballet me Parmën, skuadër ku Ancelotti ka luajtur dhe më pas ka ushtruar edhe detyrën e trajnerit. Para fillimit të ndeshjes, trofeun do t’ia dorëzojë ambasadori i markës Milan, Daniele Massaro, me të cilin Ancelotti ka ndarë një periudhë të artë suksesi në fanellën kuqezi.

Përveç Ancelottit, në Hall of Fame të Milanit bëjnë pjesë edhe anëtari i nderit Franco Baresi, si dhe Filippo Inzaghi, Andriy Shevchenko dhe Marco van Basten, të përzgjedhur nga tifozët mes sulmuesve më të mirë të historisë së klubit. Në kategorinë e mesfushorëve janë përfshirë tashmë edhe Kaká dhe Ruud Gullit.

Top Channel